Dosja “5D”- GJKKO urdhër SPAK: Hetoni titullarin e Bashkisë

Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme duket se vijojnë të kenë kompleks të përmendin emrin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në hetimet që kanë në zhvillim. Kështu ndodhi më herët me dosjen e inceneratorit të Tiranës dhe e njëjta gjë u përsërit edhe në hetimin e aferës “5D” shpk.

Në 120 faqe vendimi gjyqësor, emri i kryebashkiakut Veliaj nuk përmendet asnjëherë nominalisht, megjithëse e gjithë çështja hetimore është bazuar mbi drejtorët e tij të rëndësishëm dhe, për më tepër, mbi një numër të konsiderueshëm tenderash të zhvilluar drejtëpërdrejtë nga Bashkia Tiranë dhe të fituar në mënyrë abuzive nga “5D” shpk (ish “V.A.S Construction”).

Megjithatë, përtej kompleksit për të përmendur emrin e tij, Gjykata e Posaçme, gjithësesi, ka lënë një shenjë për Prokurorinë, ku i kërkon të hetojë titullarin e Autoritetit Kontraktor. Në vendim nuk përmendet më shumë se cilit Autoritet Kontraktor. Por, duke ndjekur logjikën e vendimit, kuptohet qartësisht se bëhet fjalë për Erion Veliaj.

Në vendim, thuhet konkretisht: “Në raport me faktet dhe rrethanat e mësipërme, gjykata vlerëson se, në vijim të hetimeve, duhet të hetohen dhe vlerësohen edhe përgjegjësitë e mundshme të titullarit të autoritetit kontraktor ose nëpunësit të autorizuar, në lidhje me detyrimet ligjore të tij për të kontrolluar ligjshmërinë e procedurave të prokurimit objekt procedimi, për të vlerësuar nëse ka element të veprës penale”.

Latest articles

Related articles