“Më përdorën për të penguar zgjedhjen e Ratzinger në krye të Kishës Katolike”

Në Konklavën e vitit 2005, “më përdorën” për t’u siguruar që Joseph Ratzinger të mos zgjidhej Papë.

Kështu thotë Papa Françesku në intervistën e librit “El sucesor” (Pasardhësi), mbi kujtimet e tij për Benediktin XVI, shkruar me gazetarin spanjoll Javier Martinez-Brocal.

Libri do të dalë të mërkurën më 3 prill, por një kapitull, i titulluar ‘Konklava’, u publikua dje nga gazeta ABC.

“Në atë konklavë – dihet tashmë – më përdorën. Para se të vazhdoj do t’ju them diçka. Kardinalët betohen të mos tregojnë se çfarë ndodh në konklavë, por papët kanë lejen për të treguar”, shpjegon Françesku.

“Ndodhi që unë mora dyzet vota nga njëqind e pesëmbëdhjetë në Kapelën Sistine. Ato mjaftuan për të ndalur kandidaturën e kardinalit Joseph Ratzinger, sepse, po të kishin vazhduar të votonin për mua, ai nuk do të kishte arritur dy të tretat e nevojshme për t’u zgjedhur Papë. Manovra konsistonte në vendosjen e emrit tim, bllokimin e zgjedhjes së Ratzinger dhe më pas negocimin e një kandidati tjetër të tretë. Më pas më thanë se nuk donin një papë ‘të huaj’”.

“Ishte një manovër e plotë – kujton Francesco – Ideja ishte të bllokohej zgjedhja e kardinalit Joseph Ratzinger. Po më përdornin, mendonin të propozonin një kardinal tjetër. Ata ende nuk mund të binin dakord se kush, por tashmë ishin në prag të gjetjes së një emri.” Kur u pyet se kur ndodhi kjo, Papa aktual shpjegon: “Konklava filloi të hënën më 18 prill 2005. Pasdite ishte e para u zhvillua votimi. Ky operacion u zhvillua në votimin e dytë apo të tretë, paraditen e datës 19.

Kur e kuptova këtë pasdite, i thashë një kardinali të Amerikës Latine, kolumbianit Darío Castrillón: “Mos bëj shaka me kandidaturën time, se tani them se nuk do ta pranoj, apo jo? Më lini këtu.’ Dhe aty u zgjodh Benedikti”.

Bergoglio thotë gjithashtu se Joseph Ratzinger “ishte kandidati im”. “Ai ishte i vetmi që në atë kohë mund të bëhej Papë – vëren ai -. Pas revolucionit të Gjon Palit II, i cili kishte qenë një Papë dinamik, shumë aktiv, me iniciativë, që preferonte të udhëtonte… duhej një papë që të mbante një ekuilibër të shëndetshëm, një Papë i tranzicionit”.

Françesku përsërit se ishte shumë i lumtur me zgjedhjen e Joseph Ratzinger, siç tha në konferencën e tij të parë për shtyp gjatë fluturimit, duke u kthyer nga Rio de Zhaneiro. “Dhe është e vërtetë – pohon ai -. Po të kishin zgjedhur dikë si unë, që shkakton kaq shumë telashe, nuk do të kisha mundur të bëja asgjë. Në atë kohë nuk do të ishte e mundur. Unë u largova i lumtur.

Benedikti XVI ishte një njeri që solli stilin e ri. Dhe nuk ishte e lehtë për të, apo jo? Ai hasi shumë rezistencë në Vatikan.” Dhe me atë zgjedhje, për Françeskun, Fryma e Shenjtë i tha Kishës: “Ja ku jam unë në krye. Nuk ka vend për manovra.

Latest articles

Related articles