Mutacionet e kryeministrit – Analizë nga Albi Xhunga

Në fillimvjeshtën e vitit 2013 Edi Rama kishte ngritur një zyrë të paparë e të padëgjuar deri në atë kohë. Zyrën e kryeministrit të zgjedhur. Padurimi për t’u ulur në kolltukun e kryeministrit dhe tendenca e kahershme e protagonizmit kishin fituar mbi maturinë që kërkonte momenti. Në një intervistë për një media të huaj kryeministri i zgjedhur deklaronte se e donte pushtetin pasi kishte një problem me vdekjen. “Donte të linte diçka”.
Sot shikon se koha e tij ka mbaruar. Ai natyrisht do të lërë diçka, por jo atë çfarë ëndërronte në vitin e largët 2013. Rrathët e zinj poshtë syve, fytyra e rrënuar, humori i keq i shprehur shëmtuar ndaj një gazetareje, tregojnë gjendjen e rëndë të njeriut më të pushtetshëm në Shqipëri.
Në të gjitha speciet që popullojnë sot globin, ajo që prevalon mbi gjithçka tjetër është mbijetesa. Madje një teori thotë se humaniteti fillon kur mbijetesa është siguruar. Deri në atë moment edhe ne, humanët, jemi qënie si gjithë të tjerat. Nga ky rregull nuk mund të bëjë përjashtim askush. As deputetët, as ministrat, e natyrisht as kryeministri. Nuk është rastësi që parlamenti është bërë si pazari i gjësë së gjallë. Tsunami i paralajmëruar tashmë ka filluar dhe nuk dihet kë do të marrë me vete. Disa do t’i hedhë në qeli, e disa të tjerë që deri sot kanë mbijetuar në politikë si mizat në prapanicën e kalit, do t’i flakë jashtë politikës. Skena nuk do të pastrohet vetëm nga të korruptuait, do të pastrohet edhe nga numri i lartë i parazitëve që sot popullojnë Kuvendin e Shqipërisë duke vegjetuar në të ndenjurat e peshkaqenëve të korrupsionit. Antibiotiku quhet SPAK.

Ai që po luan më fort se kushdo tjetër për mbijetesë është kryeministri i vendit. Duke qenë i vetëdijshëm se pasi të jetë larguar nga posti marzhi i manovrës do të jetë shumë i reduktuar, ai po i luan të gjitha kartat tani. Këto lëvizje të kryeministrit në raport me SHBA variojnë nga kërkesa për mëshirë, shantazhi, e deri te joshja.

Çfarë e rrezikon Edi Ramën?
Edi Rama është i paprekshëm për sa kohë është kryeministër. Ai këtë e di. Për më tepër që as amerikanët nuk kanë ndonjë interes të madh ta rrëzojnë tani, kur ujrat në opozitën shqiptare janë ende të turbullta dhe kur nga kjo mund të përfitojë i shpalluri non gratta prej tyre. Por paprekshmëria e kryeministrit po rrezikon të kthejë në farsë goditjen penale ndaj korrupsionit shtetëror që tashmë ka nisur. Nëse nuk prek dot Edi Ramën, nuk prek dot as rrethin e tij të ngushtë, rënia e të cilëve do të rrëzonte edhe kryeministrin. Lali Eri, Gjiknuri e Xhaçka janë disa nga emrat, çështjet e të cilëve po zvarriten jashtë çdo logjike, duke rrezikuar ta diskreditojnë në popull Strukturën e Posaçme Anti Korrupsion, e bashkë me të edhe amerikanët që e mbështesin. Pra mbijetesa e kryeministrit bëhet pengesë për planin amerikan për pastrimin e klasës së korruptuar politike.

A e duan të tijtë kryeministrin? Në pamje të parë kjo është një pyetje e lehtë. Pse nuk do ta donin socialistët një kryeministër që po i mban në pushtet për tre mandate rresht? Mirëpo në politikë llogaritë janë më pragmatike e natyrisht më cinike. Ai që ishte kampioni i fitoreve dje mund të bëhet pengesë sot. Nëse kryeministri nuk ka të ardhme politike për vete, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për të gjithë drejtuesit e të gjithë deputetët e PS. Të papërlyerit, apo të përlyerit që mund t’i shpëtojnë ndëshkimit penal për mungesë provash apo tejkalim afatesh, nuk janë të gatshëm të dorëzojnë pushtetin vetëm e vetëm sepse kryeministri është i zhytur deri në grykë. Aq më tepër që socialistët e kanë provuar njëherë këtë me Fatos Nanon. Në këtë këndvështrim, kampioni i fitoreve të djeshme bëhet pengesa e së sotmes. Interesat e mëdha dhe joshja e pushteti natyrisht që vlejnë më shumë se dashuria për liderin. Edi Rama i di të gjitha këto, ndaj herë pas here i kërcënon deputetët e tij me zgjedhje të parakohshme. Nëse ai e ndjen të nevojshme të kërcënojë deputetët e tij, dmth se tenxherja me presion në mazhorancë po vlon fort.

Lëvizjet taktike të kryeministrit.
Kush e dëgjon Edi Ramën të bërtasë se ai dhe Partia Socialiste janë nismëtarët dhe autorët e reformës në drejtësi, vë buzën në gaz. Në fakt kjo deklaratë, më shumë se shqiptarëve, i drejtohet amerikanëve. Edi Rama po kërkon shpëtimin e tij si shpërblim për votat e dhëna dje për reformën dhe për luajalitetin e deritanishëm. Ai po i kërkon administratës Biden amnistimin e tij si autori i reformës dhe si besnik i SHBA.
Nga ana tjetër Edi Rama përpiqet t’i kërcënojë amerikanët. Dmth po ju bën të qartë se nuk ka aspak ndërmend ta dorëzojë kokën e tij në sini. Në politikën e jashtme kryeministri nisi një lojë të rrezikshme ballkanike. Në çështjen e dinarit u rreshtua me Albin Kurtin. Këtë lëvizje e justifikoi me faktin se Albin Kurti po zbaton kushtetutën e Kosovës. Kjo lëvizje problematike me siguri ka ngritur alarmin në Uashington. Ballkani është një nga shkrepëset e botës dhe amerikanët po bëjnë gjithçka për ta mbajtur të shuar zjarrin ballkanas që ushqehet me urrejtjen shekullore dhe me gjakun ende të patharë të luftrave të fundit. Justifikimi se po rreshtohet në krah të Albinit sepse ai po zbaton kushtetutën e Kosovës natyrisht që nuk qëndron. Kryeministri Kurti po zbatonte kushtetutën edhe për çështjen e zgjedhjeve në veri, edhe për çështjen e targave, etj, etj. Por atëherë Edi Rama e kritikonte papërgjegjshmërinë e kryeministrit Kurti, i cili po u kundërvihej atyre që kishin çliruar Kosovën dje dhe që garantonin pavarësinë e saj sot. Çfarë ndryshoi tani që Edi Rama vendosi t’i hidhte benzinë zjarrit nacionalist? Mesazhi për amerikanët është i qartë: ‘’Nëse SPAK-u që ju kontrolloni vazhdon të ma gërryejë tokën nën këmbë, unë nuk do të jem më ai djali i mirë ballkanas që punon për stabilitetin, por mund të bëhem problematik, si Kurti, si Vuçiç, e si Orban, sepse tek e fundit, nuk kam shumë për të humbur’’.

Natyrisht që një vit para zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe rikthimit të pritshëm të Trump në Shtëpinë e Bardhë, strategu largpamës nuk mund të mos i merrte disa masa. Joshja e dhëndrit të Trump me një ishull të virgjër si Sazani duket një qokë e denjë për familjen miliardere.

Sazani mund të jetë vetëm fillimi. Nuk ka koncension që nuk do të bënte Edi Rama për t’i shpëtuar një procesi të mundshëm penal. Nëse për inceneratorët dhe për çështje të tjera korruptive ai ende mund të japë justifikime qesharake se fajin e kanë ata që hanë dardha pas shpinës së tij, në çështjen e ish agjentit të FBI Edi Rama përfshihet in persona. Nëse në SHBA e mbronte Konventa e Vjenës nga ndëshkimi penal, në Shqipëri nuk e mbron asgjë. Jo rastësisht në aktakuzën amerikane Neza dhe Duçka, dy persona pa ndonjë rëndësi të madhe publike, përmendeshin si “personi A dhe personi B”, ndwrsa kryeministri shqiptar përmendej nominalisht plot 14 herë.

Veç lëvizjeve në politikën e jashtme, Edi Rama po iu rebelohet amerikanëve edhe në politikën e brendshme. Pazari me non gratta-n për ta faktorizuar si opozita kryesore në Shqipëri, në shkelje të ligjeve të shtetit shqiptar dhe të rregullores së parlamentit, është një rebelim i hapur ndaj politikës amerikane në një nga vijat e kuqe të përcaktuara prej tyre. Ushtrimi i influencës s tij që çështja e legjitimitetit të Partisë Demokratike të zvarritet pafund nga gjykatat, duke e mbajtur të turbullt situatën në opozitë, përpjekja për të kapur kreun e SPAK, ndryshimi arbitrar i ligjit të komisioneve parlamentare për t’i hequr opozitës një mekanizëm të fuqishëm për të kontrolluar abuzimet e pushtetit, janë elementët që plotësojnë mozaikun.

Korrupsioni është një mikrob që mban peng një shoqëri të tërë. Amerikanët gjetën SPAK si antibiotikun e duhur për ta luftuar këtë flamë që po mbyt Shqipërinë e po mban peng të ardhmen e saj. Në këtë rast mikrobet krijojnë mutacione për të rezistuar. Nëse poli opozitar i dy ish presidentëve duket i dorëzuar përballë realitetit të ri, kryeministrit posti i jep edhe disa karta shtesë për të luajtur. A do të arrijë ai të mbijetojë me anë të këtyre mutacioneve? Ndoshta. Por në këtë rast superfuqia do të humbte totalisht fytyrën në këtë cep të globit.

Latest articles

Related articles