Gazeta konservatore greke “Ta Nea”, shumë pranë partisë në pushtet në Athinë, ka publikuar sot një denoncim sipas të cilit gjykatësja e proceseve të bujshme, Irena Gjoka, ka tentuar të kalojë me dokumenta fallco kufirin e shtetit fqinjë dhe për më tepër, si pasojë e kësaj, i është ndaluar hyrja në këtë vend. Natyrisht, pa qenë naivë, askush nuk dyshon se lajmi “i rrjedhur në media”, është rastësor.
Prej kohësh, Sali Berisha, gjithashtu edhe ai i gjykuar nga Gjoka, në procesin e privatizimit të klubit Partizani, e kishte paralajmëruar këtë nga ballkoni i arrestit shtëpiak. Si mediat pranë tij, po ashtu edhe avokatët e liderit demokrat, ishin në dijeni të faktit, madje prej ditësh qarkullonin zërat se Fredi Beleri do ti bënte publike dokumentat në seancën e fundit të gjyqit.
Nuk ka dyshim se një gjë e tillë bëhet në prag të shpalljes së dënimit për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës.
Nuk ka dyshim, po ashtu, se rinxjerrja në skenë e një ngjarjeje të 22 viteve më parë, kur Irena e sotme mbante një nga tre mbiemrat që ka përdorur në jetë, tenton të diskreditojë figurën e saj si gjyqtare, ti hapë kapitullin e gënjeshtrës para organeve të vettingut dhe të godasë besueshmërinë e trupës ku ajo bën pjesë.