Votuesit në Zvicër kanë vendosur t’i japin vetes një muaj pension shtesë çdo vit përmes një referendumi mbi standardet e jetesës për të moshuarit.
Qeveria zvicerane kishte paralajmëruar që pagesa nuk mund të përballohet, por pothuajse 60% e votuesve thanë “po” në referendumin e së dielës. Gjithashtu, 75% refuzuan ngritjen e moshës së pensionit nga 65 në 66 vjeç.
Pensioni maksimal mujor në Zvicër është 2.550 euro, por votuesit thanë se shuma nuk mjafton për të jetuar në Zvicër.
Kostoja e jetesës në Zvicër, veçanërisht në qytete si Zyrihu dhe Gjeneva, është ndër më të lartat në botë.
Primet e sigurimit shëndetësor, të cilat janë të detyrueshme për të gjithë, janë rritur dhe të moshuarit ndonjëherë kanë vështirësi për t’i paguar.
Propozimi për të rritur pensionet erdhi nga sindikatat. Ai është kundërshtuar nga qeveria zvicerane, parlamenti dhe drejtuesit e biznesit, të cilët deklarojnë se është i papërballueshëm.
Rezultati u cilësua si “fitore historike për pensionistët” nga Avivo, një shoqatë zvicerane që mbron të drejtat e pensionistëve aktualë dhe të ardhshëm.
Me ndryshimin e fundit pensioni shtetëror përputhet me sistemin e pagave të Zvicrës, i cili gjithashtu paguhet në 13 këste, pra punonjësit marrin një pagesë të dyfishtë në nëntor.
Sistemi fillimisht u ideua për të ndihmuar njerëzit përpara Krishtlindjes dhe faturën vjetore të taksave. /BBC