Rreziqet dhe kërcënimet ruso-kineze në hapësirë

Nga Dritan Demiraj

Duke qënë se javët e fundit SHBA-të kanë akuzuar Federatën Ruse se nën udhëzimet e presidentit Vladimir Putin, Komanda Ruse e Hapësirës po planifikon dërgimin e armëve bërthamore në gjeo-hapësirë me qëllim shkatërrimin e satelitëve, mendoj se është relevante një analizë në lidhje me rreziqet dhe kërcënimet e dërgimit të këtyre armëve në hapësirë.

Kjo përbën edhe analizën e parë por shume shkurt të këtij lloji nga mediat dhe portalet ne Shqiperi. Kjo pasi nje pjese e madhe e informacionin eshte e klasifikuar (kete çeshtje e kam analizuar pergjate tre kapitujve ne librat: Strategjia Ushtarake e Federates Ruse, Strategjia Ushtarake e Kines dhe Sherbimet Sekrete te Federates Ruse).

Federata Ruse ka në dispozicion kapacitete të larta për të ekzekutuar sulme nukleare globale, por nuk është e mjaftueshme të kesh vetëm armët dhe platformat për t’i lëshuar ato, por në të njëjtën kohë kërkohen edhe rrjetet e komandim-kontrollit, komunikimit dhe të drejtimit në mënyrë që ato të komandohen dhe drejtohen në drejtim të objektivit të sulmit.

Zbulimi, identifikimi dhe mposhtja e sulmeve bërthamore të kundërshtarit, kërkon një infrastrukturë shumë të avancuar e cila është e kushtueshme dhe pikërisht për këtë qëllim, Federata Ruse ka krijuar Komandën e Forcave të Hapësirës së Federatës Ruse (KV-Kosmicheskiye Voiska).

Kjo komandë është përgjegjëse për lëshimin e satelitëve ushtarakë në hapësirë, ndërveprimin e tyre dhe zbulimin e kërcënimeve me bazë në hapësirë nga raketat balistike ose hipersonike, misioni i të cilave mund të jetë goditja e satelitëve ushtarakë rusë ose një sulm i organizuar kundër Federatës Ruse.

Forcat e Hapësirës (Kosmicheskie Voyska Rossii, KV) janë degë e Forcave Hapësinore Ruse, e cila ofron paralajmërime për hapësirën ajrore, sovranitetin ajror dhe hapësinor dhe mbrojtjen e Federatës Ruse. Kjo komandë u bashkua në datën 15 gusht 2015 me Forcat Ajrore Ruse dhe Forcat e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore Ruse, pasi krahu i pavarur i shërbimit u shpërbë në vitin 2011.

Në datën 15 gusht 2015, Forcat Ajrore dhe Forcat e Mbrojtjes Ajrore Ruse u bashkuan për të formuar Forcat Ruse të Hapësirës Ajrore. Komandanti i Forcave Hapësinore, gjeneral kolonel Vladimir Popovkini ka deklaruar në muajin janar 2006 se 18 satelitë ‘GLONASS’ do të ishin operacionalë në orbitë deri në vitin 2008. Në muajin tetor të vitit 2010, ky sistem u bë plotësisht funksional.

Formacionet e Forcave Hapësinore Ruse përfshijnë Korpusin e 3-të të Mbrojtjes së Raketave dhe të Hapësirës dhe një Divizion të Paralajmërimit të Sulmeve Raketore, të dyja me selinë e tyre në Solnechnogorsk në afërsi të Moskës. Instalimet dhe asetet e tyre përfshijnë stacionin e radarit ‘Hantsavichy’ në Bjellorusi, një numër të caktuar radarësh të tjerë të mëdhenj paralajmërues dhe sistemin e raketave anti-balistike A-135, i cili mbron Moskën dhe sistemin luftarak me lazer anti-ajror ‘Peresvet’ që ka mision mbrojtjen nga raketat strategjike kundërshtare.

Kompleksi ‘Okno’ që është i vendosur dhe funksionon në afërsi të qytetit Nurek në qëndër të Taxhikistanit, është një objekt i madh i gjurmimi optik që ka mision të monitorojë objektet në hapësirë. Kompleksi ‘Okno’ është në gjendje të gjurmojë objekte deri në 40.000 km largësi nga Toka, deklaruan burimet e inteligjencës në momentin e vendosjes së saj në gadishmëri në vitin 2002. Ky objekt përfshin pajisje të ngjashme me teleskopet të vendosura në disa sfera të mëdha, të ngjashme me sistemin e SHBA-ve ‘GEODSS’.

Hapësira do të shërbejë si fushëbeteja kryesore e luftës kundër SHBA-ve nga forcat e Federatës Ruse në rast të një konflikti të mundshëm në të ardhmen. Për këtë qëllim, ushtria ruse është duke zhvilluar, prodhuar dhe ka testuar një sërë armësh të avancuara dhe shumë të fuqishme, të cilat do të mundësojnë ekzekutimin e sulmeve në hapësirë. Planizuesit strategjikë rus prej vitesh kanë studiuar taktikat dhe strategjitë e luftës së ushtrisë amerikane gjatë dy dekadave të fundit në zonat e konfliktit në të gjithë globin.

Konkluzioni i tyre është se kapacitetet e forcave amerikane të hapësirës, ishin shkaku kryesor për krijimin e superioritetit dhe performancës së shkëlqyer ushtarake të fushatave ushtarake në Kosovë, Irak, Afganistan, Libi dhe në Siri. Në këtë rast, po rikujtoj sukseset e fillimit të këtyre fushatave jo për kaosin që i ndoqi këto fushata më pas, deri në tërheqjen e paorganizuar nga Afganistani në vitin 2021.

Aftësia e ushtrisë amerikane për të realizuar sulme të fuqishme me shpejtësi dhe precision është i pakrahasueshëm në historinë e luftërave botërore, duke minimizuar në maksimum humbjet e jetës së civilëve gjatë ekzekutimit të këtyre operacioneve të gjera ushtarake.

Këtu një rol të jashtëzakonshëm kanë padyshim aftësitë dhe kapacitetet e agjensive amerikane të inteligjencës qofshin ato të CIA-s apo të DIA-s, aftësitë e të cilëve për të ndjekur dhe asgjësuar nga toka ose nga ajri objektivat e rëndësisë së veçantë (HVT) si në rastin e Sadam Hysein-it, Osama bin Laden-it, Abu Musab al-Zarkaw-it, Kasem Sulejman-it, Dr. Awman al-Zawahir-it, etj janë vërtetuar tashmë në nivelet më të larta. Këto operacione speciale por edhe qindra të tjera, kanë treguar se sado të fshehta të jenë operacionet e terroristëve edhe sikur të duhen më shumë se 25 vite si në rastin e Dr. Awman al-Zawahir-it, përsëri agjensitë amerikane të inteligjencës kanë aftësinë të gjejnë, planizojnë dhe ekzekutojnë me sukses eliminimin e tyre.

Në këtë këndvështrim, këto kapacitete por jo vetëm i mundësojnë SHBA-ve këtë superioritet kaq të madh duke kombinuar edhe aftësitë e larta të konstelacionit satelitor më të mirë dhe më të madh në botë.

Arsenali Amerikan i hapësirës është lëshuar dhe vënë në shfrytëzim nga një kombinim i industrisë private, Komanda e Forcave Ajrore, Komanda e Forcave të Hapësirës dhe Zyra Kombëtare e Rikonicionit (NRO) e dislokuar në Chantilly të Virxhinias, ekzistenca e të cilës ishte e klasifikuar deri në vitin 1992.

Duke parë dhe analizuar sa më lartë, rusët dolën në konkluzionin se për sa kohë që SHBA-të kanë kapacitet superior në hapësirë, e cila u mundëson atyre sukses në fushëbetejë, në të njëjtën kohë ajo është një fushë që në rast se nxirret jashtë luftimit i nxjerr ata zbuluar për shkak të vartësisë së tyre të plotë prej saj. Rëndësia e satelitëve mund të krahasohet me suksesin e futjes në përdorim të GPS-it për civilët.

Sipas ish komandantit të Komandës Strategjike Amerikane (STRATCOM) gjeneralit John Hyten: “Vartësia e ushtrisë amerikane nga satelitët në hapësirë sa i përket perspektivës së Komandës Strategjike të Hapësirës për Parandalimin dhe Sigurinë, është themelore për çdo operacion ushtarak që realizohet në ditët e sotme në të gjithë globin”. Gjenerali amerikan John Hyten ka pranuar se çdo avion sulmi ose bombardues, dron sulmi ose zbulimi, anije luftarake ose njësitë ushtarake kanë vartësi kritike nga operacionet e realizuara nga hapësira. Në të njëjtën kohë, ai ka pranuar se Rusia është duke ndërtuar armë të fuqishme për luftë në hapësirë, me qëllim kërcënimin e satelitëve amerikanë të cilët operojë në hapësirë.

Si përfundim, kjo është pikërisht arsyeja përse rusët kanë vendosur që të rrisin presionin kundër SHBA-ve nëpërmjet kërcënimit se me vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë, janë në gjendje të rrezikojnë sigurinë dhe për rrjedhojë funksionimin e satelitëve amerikanë aq të domosdoshëm për komandim-kontrollin e sistemeve të avancuara të armëve në tokë.

Latest articles

Related articles