In ftuar në intervistën e Fax News, zoti Lavdrim Lita foli rreth samitit të Ukrainës, të mbajtur sot në Tiranë.
I pyetur se çfarë përgjegjësie i jep kryeministrit Rama ky samit, por edhe evenimente të tjera, si ardhja e zotit Blinken, Lita u përgjigj:
“E para, është kërkesa dhe nevoja e tij për të krijuar podiume ndërkombëtare, për të folur për një sërë çështjesh, përveç çështjes së demokracisë në vendin tonë e cila nuk flitet kurrë. Podiumet janë të kërkuara dhe të dhuruara në një farë mënyre, sepse është e vërtetë që Tirana është kthyer në një qendër graviteti për evenimente ndërkombëtare dhe kjo ka ardhur si pasojë e uljes në një shkallë më poshtë të Serbisë dhe presidentit Vuçiç, i cili jo vetëm që ka vjedhur zgjedhjet në Serbi, por ka bërë dhe një sërë përpjekjesh për të destabilizuar rajonin me veprimet apo mosveprimet e tij.”
Pyetjes së Albi Rakip se çfarë diplomati është zoti Rama, Lita iu përgjigj:
“Rama luan shumë mirë me situatat nëpërmjet batutave dhe veshjeve, por në tavolina të rëndësishme, Shqipëria nuk ka përfituar më shumë fonde nga Bashkimi Europian. Edhe ditën e sotme, kur ne prisnim nga Zelensky përmes ndërmjetësimit të Ramës, premtimin për njohjen e Kosovës, nuk e mori.“