Gara në pllaquritjen ballkanike – ANALIZA e Sebastian Zonja

Përditë e më shumë po huazojmë prej fqinjëve budallallëqet e tyre dhe po luajmë lojën e pllaquritjes në pishinë, në vend se të notojmë.
Le ta zëmë për një çast se të gjithë shqiptarët u bindën se Toka është e sheshtë. Më pas, binden se ne jemi djepi i qytetërimeve botërore. Deri këtu nuk ka asnjë problem. Fqinjët tanë – grekët dhe serbët – janë mjeshtra të këtyre broçkullave.
Vitin e kaluar, publikisht, priftërinj e shumë të tjerë u bënë pjesë e debatit për kartat e reja të identitetit duke thënë se ky është fundi i Greqisë sepse do futeshin çipat në tru e trup për të vrarë djepin e qytetërimit botëror – grekun që pi frape te kafja e lagjes në Larisa.
Ndërkohë, në Beograd, emisionet janë të mbushur me njerëz të ndryshëm që argumentojnë se Vuçiqi i fiton zgjedhjet se ka lidhje me disa shtriga e shtriganë që bëjnë magji për të humbur opozita. Ka emra, data dhe hyrje e dalje të magjistarëve rumunë e hunagrezë që kanë krijuar një sekt okult bashkë me magjistricat serbe. Këta i përdor Vuçiqi që të fitojë zgjedhjet dhe të ruajë vendin nga të pafetë perëndimorë.
Ne s’jemi ende në këtë nivel. Gjasat janë se me këtë turravrap që kemi marrë, s’do jetë e largët dita. Nuk dallojmë prej ballkanasve të tjerë si terren pjellor për injorancë e konspiracion. Çfarë kanë arritur grekët dhe serbët me këto gjëra? Asgjë. Thjesht janë bërë qesharakë përherë e më shumë në sytë e të tjerëve. Kur nuk merresh me shkencë dhe teknologji, filozofi dhe linguistikë, te këto do përfundosh. Edhe ne po garojmë në pllaquritjen ballkanike.

Ta shtrojmë ndryshe problematikën

Do shkosh në spital apo te fallxhori kur je sëmurë? Ka një pjesë njerëzish që besojnë se mjeku popullor kuron më mirë se doktori me shkollë. Ka një pjesë tjetër që beson se fallxhori i di më mirë punët se shkenca. Ka pasur dhe do ketë gjithnjë. Çështja është se kur këta sëmuren dhe duhen shtruar në spital, u duhet të zgjedhin nëse do pinë aspirinë apo do hanë lakra të thara në diell?
Deri këtu po flasim për padije dhe sharlatanizëm. Tani nis problemi.
Nëse doktori që del nga auditori nuk di të shpjegojë pse aspirina është më e mirë se lakrat e thara në diell, secili do fillojë të besojë se këtu ka një konspiracion që na është mbajtur i fshehtë. Kësisoj do të vihet në rrezik siguria kombëtare sepse shumë e më shumë do fillojnë të besojnë se duke qenë se ne jemi specie e rrallë dhe duan të na zhdukin me lloj e soj gjërash dhe eksperimentesh.

Një rast nga Gjermania, se si lajmet e rreme të financuara nga rusët fillojnë dhe cënojnë sigurinë kombëtare:
Gjatë kohës kur kishte pllakosur pandemia, në një fshat të Gjermanisë kishin vdekur më shumë njerëz se mesatarja vjetore. Duke qenë se krematoriumi kishte një kuotë të caktuar mujore, disa prej fatkeqëve që humbën jetën prej moshës apo sëmundjeve të tjera, u detyruan të dërgoheshin te krematoriumi i qytezës tjetër, pak kilometra më tutje. Moska e kapi këtë moment dhe filloi fushatën duke përhapur këtë lajm:
“Në Gjermani njerëzit po vdesin në masë. Aq vdekje ka, sa janë mbushur plot krematoriumet dhe s’ka më vend nëpër varreza apo krematoriume”.
Cila është mënyra për t’ju përgjigjur këtij lajmi? Në aspektin e politikave të sigurisë, Kremlini e ka arritur atë që kërkon – të fusë dyshimet në popull dhe të ngjallë mosbesim te institucionet. Njerëz janë edhe ata, ndaj fillojnë dhe hamendësojnë lloj – lloj skenarësh. Disa njerëz kanë siguri në të folurit në publik si ekspertë dhe ja ku mori dhenë ankthi e filloi të minohet siguria publike duke nxjerrë broçkulla nga goja. Si mekanizëm, ky është po i njëjti që përdoret për të zmadhuar problemet me emigrantët apo shumë teori të tjera që qarkullojnë.
Zgjidhja që kanë gjetur shumë vende është të mbyllin kanalet dhe portalet që financohen nga Kremlini. Kjo zgjidh një pjesë të problemit pasi, sërish, të duhet të përballesh me uljen e besueshmërisë së publikut te institucionet dhe problemet e ethshme ekonomike dhe sociale që ka vendi – sharlatani, pa dijeninë e tij, dhe i mbrojtur nga liria e të shprehurit, bëhet vegël e një fuqie tjetër që minon sigurinë tënde.
Ec e jepi zgjidhje!
Pak më herët, sharlatani ishte qesharak. Tani u kthye në problem që duhet menaxhuar. Menaxhimi duket i largët sepse, siç argumentojnë shumë politologë, duke qenë të rëndësishme vetëm rezultatet zgjedhore, gjithçka mund të pranohet, mjaft të marrësh votat e duhura. Ilustrim janë disa kongresmenë amerikanë trampistë që besojnë në këto teori dhe u japin zë nga vendi më i fuqishëm në botë.

Problemi veçse ka filluar të artikulohet, ndërkohë që zgjidhja duket e largët. Për ngjarje me kësi ngarkese, zgjidhjet janë përherë të vështira. Kërkojnë reflektim të gjatë dhe veprime energjike afatgjata. Sa më e thjeshtë zgjidhja, aq më të mëdha pasojat me të cilat do të duhet të merresh më pas.
Një gjë e kuptojmë nga eksperienca e vendeve të tjera – ndalesa publike e sharlatanëve është zgjidhje e përkohëshme dhe paksa joefektive.

Latest articles

Related articles