Kina të premten në mënyrë sarkastike “falenderoi” shefin e spiunazhit të operacioneve ndërkombëtare të SHBA, duke shtuar se kreu i CIA-s kishte zbuluar se “spiunët e saj janë kudo”.
“Faleminderit (William Burns) që na kujtoi,” u përgjigj Wang Wenbin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, kur u pyet për të komentuar deklaratën e shefit të CIA-s për Kinën në një artikull të botuar nga revista Foreign Affairs.
“Kina do të marrë masa paraprake dhe nuk do të lejojë që SHBA të veprojë në rrugën e saj përmes lëvizjeve të paligjshme,” u tha Wang gazetarëve në Pekin, sipas një transkripti të konferencës së tij për shtyp.
“Si kreu i agjencisë më të madhe të spiunazhit në botë, William Burns u tha hapur të gjithëve se spiunët amerikanë janë kudo,” tha Wang.
Duke e quajtur Kinën “kërcënimi më i madh afatgjatë”, Burns shkroi në revistë se CIA “ka angazhuar shumë më shumë burime për mbledhjen, operacionet dhe analizat e inteligjencës lidhur me Kinën në mbarë botën – më shumë se dyfishuar përqindjen e buxhetit tonë të përgjithshëm të fokusuar mbi Kinën vetëm gjatë dy viteve të fundit.”
“Ne jemi duke punësuar dhe trajnuar më shumë folës të mandarinit (gjuhë zyrtare kineze), ndërkohë që shtojmë përpjekjet në mbarë botën për të konkurruar me Kinën, nga Amerika Latine në Afrikë e deri në Indo-Paqësorin,” tha Burns në artikullin e botuar të hënën.
“Kina është e përkushtuar ndaj një rruge zhvillimi paqësor. Zhvillimi i Kinës përfaqëson mundësi për zhvillimin global dhe rritjen e forcës për paqen botërore”, tha Wang në Pekin.