INTERVISTA| Akademik Kullashi: Dobësimi i lidhjeve të Kosovës me fuqitë perëndimore “dhurata” më e mirë për Serbinë

Akademik Muhamedin Kullashi, ish ambasador i Kosovës në Francë, profesori filozofisë në Paris 8, autor i 20 librave shkencorë i është përgjigjur 3 pyetjeve të redaksisë sonë mbi rëndësinë e leximeve, rolin e intelektualëve në Francë për çështjen e Kosovës dhe aksionin e sotëm të intelektualëve.

Nga veprimtaria juaj botuese si filozof dhe diplomat/veprimtar i çështjes së Kosovës, çfarë librash dhe shkrimesh vlen ti kujtoni lexuesit sot? Sidomos të rinjve…

Kullashi: Lexuesve  do t’u kujtoja këta libra të mia: Mendimi politik modern, AShAK, Prishtinë,2005; Kthesa e dramês moderne (Shek.XIX-XX), AShAK, 2020; Cështja e Kosovës nê hapêsirên publike tê Francês, AShAK, Prishtinë2021; Kosova në fushên e diplomacisë në Francë, AShAK, 2022 dhe Biseda mbi filozofinë bashkëkohore, UET, Tiranë, 2016.

Libri i parë merret me tematizimin e disa çështjeve tê filozofisë politike moderne evropiane, duke filluar nga mendimi i Machiavelit, pastaj ato tê Hobbesit e Spinozës. Shqyrtohen edhe tensionet midis ligjërimit dhe dhunês, tê drejtës dhe fuqisë, arsyes dhe pasioneve brenda shtetit, e njêherit edhe themelet historike e konceptuale tê demokracisë moderne, e kuptuar si njê transformimi simbolik brenda strukturës së pushtetit, e jo si njê zêvendêsim  i njê regjimi me njê tjetër.

   Libri Kthesa e dramës moderne  analizon interpretimet me peshê nê mendimin bashkêkohor evropian mbi teatrin dhe veprat dramaturgjike tê Ibsenit dhe Strindbergut. Kêta autorë  kanê ndikuar nê transformimin e paradigmês aristotelo-hegeliane tê dramês dhe nê begatimin e poetikês sê dramês moderne.

Cështja e Kosovës në hapësirên publike të Francës merr në shqyrtim analizat, studimet dhe debatet mbi çështjen e Kosovës në hapësirën publike të Francës, në nivele të ndryshme të opinionit publik: në revista shkencore, në konferenca shkencore, në medie, në qarqet shtetërore e politike, në Parlament dhe në Senat e njëherazi në mjedise të ndryshme të shoqërisë civile franceze. Periudha e studimit kap ngjarjet midis viteve 1991 – 2001.

 Cili ka qenë qëndrimi mbizotërues në botën intelektuale franceze lidhur me Kosovën, në kohën kur aty kryhej spastrim etnik?

Kullashi: Krimet e trupave serbe në pranverë të vitit 1998 në Kosovë mbi shqiptarët dhe reagimet e protestat e fuqishme të shoqatave të shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare si edhe medieve të mëdha me ndikim në Francë dhe në disa vende të tjera perëndimore, do të ndikojnë gradualisht në ndryshimin e qëndrimeve të qeverive të këtyre vendeve. Ky ndryshim u shpërfaq me kristalizimin e propozimit për t’ia imponuar Milosheviçit një plan të një statusi të përkohshëm të Kosovës, realizimi i të cilit do të duhej të sigurohej nga një forcë ndërkombëtare paqësore. Rezultat i kësaj ishte Konferenca në Rambouillet (Rambuje) të Francës, ku u zhvilluan negociata gjatë 18 ditëve, presionet që minisitrat e Grupit të Kontaktit ushtronin mbi « palët në konflikt ». Kësisoj u arrit një ndërkombëtarizim në nivel të lartë i çështjes së Kosovës

Nga komunikimet tona (Komiteti i Kosovës në Paris, i themeluar më 1992, nê tê cilin bênin pjesë filozofë, sociologê e shkrimtarê francez : Paul Ricoeur, Claude Lefort, Edgar Morin, André Glukcsmann etj.) me disa zyrtarë të lartë të OKB-së që vinin në Paris, si dhe me zyrtarë të lartë të Francës dhe të BE-së, diktuam se rezistenca e armatosur e shqiptarëve, me konstituimin e UÇK-së kishte ndikuar në një perceptim të ri të çështjes së Kosovës. Një numër më i madh i politikanëve dhe diplomatëve perëndimorë do të fillojnë ta shikojnë Kosovën jo më si një problem i brendshëm i Serbisë, në suaza të kufijve të saj, jo më si « provincë e pandashme e Serbisë ». Disa nga politikanët, qeveritarët e diplomatët francezë do të jenë më të hapur ndaj analizave që vinin në pah veçantinë e çështjes së Kosovës. Ata nisën të kuptojnë se çështja e Kosovës ishte çështje fillestare dhe hapësirë ku ishte eksperimentuar ridefinimi i Jugosllavisë nëpërmjet kritikës dhe terrorit mbi « nacionalizmin shqiptar » i stigmatizuar si rreziku kryesor i Serbisë. Politikanët francezë filluan t’u kushtojnë më shumë vëmendje analizave që i kishim botuar që nga fillimi i viteve 1990 në Francë mbi projektin e elitave politike e intelektuale serbe për Serbinë si një shtet për të gjithë serbët dhe për pasojat që prodhoi ai në Ballkan.

  Kosova sërish depërtoi brenda opinionit të gjerë në Francë, me thellimin dhe zgjerimin e krimeve që i bënte ushtria e policia serbe. Masakra në Prekaz në shkurt të vitit 1998 zgjoi interesim të shtuar sa të medieve po ashtu edhe të strukturave politike e shtetërore franceze. U riaktivizuan edhe shoqatat kundër « spastrimit etnik », jo vetëm në Paris, por edhe në qytete të tjera të Francës.

Në kumtesat e mëparshme të shoqatave parisiene evitohej rëndom çështja e statusit të Kosovës, nga bindja se kjo mund t’i shërbejë si alibi për qarqet proserbe në Francë që ta mjegullojnë politikën e terrorit të Beogradit, duke e paraqitur këtë si pasojë të domosdoshme të mbrojtjes së « sovranitetit e integritetit » të një shteti të pranuar, Jugosllavisë apo Serbisë. Mu për këtë arsye theksi në reagime vihej më shumë te karakteri ekstrem i masave represive të Serbisë dhe te kërkesa që ato të ndalen me një ndërhyrje. Ndërkaq çështja e statusit do të shtrohej doemos pas intervenimit ushtarak dhe pas largimit të strukturave të pushtetit serb nga Kosova. Ky qëndrim lucid anticipoi atë që ndodhi në fakt më vitin 1999, me intervenimin e NATO-s dhe çlirimin e Kosovës, e pas disa viteve, më 2008 shpallja e pavarësisë.      

Ashpërsimi i krimeve në Kosovë do të ndikojë që opinioni publik në Francë të bëhet më i mobilizuar; reagimet drejtuar opinionit dhe qeverisë do të bëhen më të shpeshta e më të forta. Po të bëhet një paralelele midis nismës së luftës në Bosnjë dhe asaj në Kosovë, si dhe reagimeve të opinionit francez dhe autoriteteve politike të vendit, mund të thuhet se tani reagimet në Francë ishin më të shpejta e më të vendosura ndaj ngjarjeve që zhvilloheshin në Kosovë. Ndërveprimet midis aktiviteteve të shoqërisë civile për ta sensibilizuar opinionin me ngjarjet dramatike, jehona që këto aktivitete kishin në gazetat me tirazh të madh dhe në mediet elektronike dhe komunikimet me qarqet qeveritare e parlamentare do të bëhen më intensive nga gjysma e vitit 1998. Kjo mund të shpjegohet edhe me akumulimin e efekteve që kishin prodhuar agresionet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi Slloveninë, mbi Kroacinë dhe Bosnjën; agresione këto të shoqëruara me krime masive mbi civilët në Kroaci dhe Bosnjë.

Nga pavarësia e deri tani, cili është dhe duhet të jetë aksioni i intelektualëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare dhe në relacion me politikën e jashtme shtetërore të Kosovës?

Kullashi: Në librin Kosova në fushën e diplomacisë në Francë kam paraqitur aktivitet e mia bashkë me kolegët francez pranë Universitetit Paris 8 (1991-2017) si dhe me personalitete të disa institucione tjera politiko-diplomatike në Paris. Gjatë viteve 2008-2016 isha edhe ambasador i Kosovës nê Francë. Kësodore, duke evituar t’u jap këshilla kolegëve, do të sygjeroja që përvojat e aktiviteteve politike e diplomatike që kemi zhvilluar në Francë mund tê ishin të dobishme.

    Roli i Ambasadês  në ndërtimin e lidhjeve dhe të bashkëpunimit midis ministrive të Kosovës dhe ministrive të Francës, midis instancave qeveritare të dy vendeve, në nivelin e prezidencës dhe  të qeverisë. Kêtu trajtohen aktivitet diplomatike në zhvillimin e bashkëpunimit midis dy vendeve në lëmenjtë e arsimit, shkencës, kulturës  dhe  ekonomisë; njêherit zhvillimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare të vendosura në Francë .

  • Nga viti 2008 e deri mê 2016 Kosova ka realizuar njohjen nga mê se 106 shtete, ështê anêtarêsuar në mê se 30 organizata ndêrkombêtare e rajonale. Fatkeqêsisht, tani e disa vite qeveria e Kurtit nuk ka arrijt asnjê njohje nga ndonjê shtet tjetêr e as integrim nê organizata ndêrkombêtare. Duket se shkaku kryesor ka tê bêjê me një orientim politik që “kultivon” mbylltêsinë, prirjet autarkike si dhe dêmtimet e raporteve tê Kosovês me vendet aleate. Vende këto qê kanê patur  rol vendimtar nê çlirimin e Kosovês nga sundimi shekullor serb, nê rindêrtimin e vendit, nê zhvillimin ekonomik e kulturor sikurse edhe nê procesin e shtetndêrtimit. Dobêsimi i lidhjeve politike e ekonomike të Kosovës me fuqitë perêndimore ështê “dhurata” më e mirë që mund t’i ofrohet Sêrbisê dhe synimeve tê saj gjeopolitike nê Ballkan. Ndonëse bartësitê e kêsaj politike orvaten ta bindin opinionin se se po « luftojn pêr ta mbrojtur sovranitetin » e Kosovës.

Biografi:

Muhamedin Kullashi lindi në Pejë, me 29 nëntor 1949. Aty kreu shkollën fillore dhe gjimnazin. Në Fakultetin filozofik të Zagrebit studioi filozofinë dhe letërsinë franceze. Nga viti 1974 deri më 1991 ligjëroi në Degën e Filozofisë dhe të Sociologjisë të Univerzitetit të Prishtinës. Me 1983, në Fakultetin filozofik të Zagrebit, mbrojti disertacionin e doktoranturës kushtuar koncepcionit të metafilozofisë të Henri Lefebvre-it. Në vitin 1991 u dëbua nga Universiteti i Prishtinës, bashkë me kolegët tjerë shqiptarë, nga regjimi i atëhershëm serb. Nga viti 1992 ligjëron në Departamentin e Filozofisë në Universitetin Parisi 8. Në vitin 1994, pranë këtij universiteti, mbrojti Habilitimin për udhëheqjen e hulumtimeve shkencore (HDR) para jurisë të përbërë nga : Claude Lefort, Jacques Rancière, Gérard Raulet, Jacques Poulain dhe Michel Roux.
Në vitin 1992, mori pjesë në themelimin e Komitetit të Kosovës në Paris, pranë revistës Esprit, bashkë me intelektualët e shquar francezë Olivier Mongin, Antoine Garapon, Pierre Hasner, Pascal Bruckner, André Glucksmann, Véronique Nahoum-Grapp etj. Anëtarë nderi të këtij Komiteti ishin edhe filozofët Paul Ricoeur, Edgar Morin, Claude Lefort. Ky Komitet zhvilloi aktivitete në mbështetje të Kosovës deri në vitin 2015.
Nga viti 2008 deri në vitin 2016, ishte Ambasador i Kosovës në Francë. Në vitin 2012 u zgjodh anëtar aktiv i Akademisë evropiane të Shkencave dhe Arteve, me seli në Salzburg të Austrisë. Në vitin 2016, u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Botoi në revista shkencore të Prishtinës, Tiranës, Zagrebit, Beogradit, Romës, Parisit, Vienës, Madridit, Montrealit etj. Mori pjesë në një numër të madh konferencash shkencore në Francë, Belgjikë, Zvicër, Itali, Bullgari, Hungari, Kanada, Turqi, Tunizi, Argjentinë, Urugvaj etj. Mori pjesë në projekte hulumtuese kushtuar temave të ndryshme nga historia e filozofisë, etika dhe filozofia politike.

Latest articles

Related articles