Agim Rrëshiti, është zhvendosur nga Përmeti në Tiranë në vitin 2008. Agimi merr një pension 10 700 lekë të reja dhe jetesa në kryeqytet i duket e papërballueshme.
“10 mijë lekë të vjetra i shpenzoj për ilaçet e tensionit. Ushqimet janë shumë shtrenjtë. Me pensionin vetëm drita dhe ujë paguaj unë. Blejmë vaj, makarona, fasule, një bidon qumësht në 2 ditë, kafe dhe sheqer. Dy thela mish kushtojnë 13 mijë lekë të vjetra, shumë rrallë i blejmë. Pa ndihmën e fëmijëve nuk do të mund të jetoja. Pensioni nuk mjafton për ushqime!”, tregon ai për Faktoje duke shtuar:
“Ka kohë që më është djegur dushi, kushton 150 mijë lekë (të vjetra), nuk e blej dot. Lahem me sapllake (tas) si qëmoti.”
Djemtë e Agimit kanë zgjedhur të mos emigrojnë. Nga njëra anë i moshuari ndihet mirë që i ka pranë, por nga ana tjetër shqetësohet për të ardhmen e tyre kur sheh se çmimet rriten e bëhen gjithnjë e më të papërballueshme.
“Të ishin më lirë ushqimet do kishim mundësi të blinim më shumë. Jeta ime iku, por edhe fëmijët nuk arrijnë të rehatohen e ndërtojnë familjet e tyre për shkak të të ardhurave të ulëta”.
Për vetëm gjashtë produkte ushqimore Agimit i duhet të shpenzojë një të dhjetën e pensionit (941 lekë). Nëse TVSH do të ishte zeruar ai do të paguante diku te 780 lekë. (Që gjithsesi janë shtrenjtë për pensionin që merr.)

Ndërkohë që si për ironi, në Imola (një zonë afër Bolonjës) të Italisë ku pensioni mesatar varion në 800 – 1100 euro, të njëjtat produkte, kushtojnë më lirë se në Tiranë.
Blerja e gjashtë produkteve në Itali shkoi 8.29 euro (e barabartë me 865 lekë). Për më tepër, TVSH-ja për produktet ushqimore në Itali varion në 4-5%.

Raporti i INSTAT për vitin 2022, për ushqime, konstaton se familjet shpenzojnë 39.7%, e barabartë me thuajse gjysmën e të ardhurave, të cilat vijnë me rritje 0.3% nga viti paraardhës.
Europa shpenzoi mesatarisht 13.6 % të totalit të buxhetit për ushqim, gati tri herë më pak sesa Shqipëria.



