Mitizim shkrimtarit, injorim letërsisë!

Skerdilajd Zaimi

Sot ka ditëlindjen Ismail Kadare, shkrimtari kryesor shqiptar i shekullit të 20-të dhe padiskutim më i famshmi. Siç e do zakoni i këtyre anëve, tamburet e atyre që mendojnë se kanë zënë vend në kritikën shqipe, apo që si intelektualë kanë detyrimin të thonë ndonjë fjalë, kanë rënë njësoj si ato të qeverisë: mburrje, lëvdata dhe padiskutim tituli gjeni, që sa vjen e tingëllon si epitet në këtë vendin tonë, mbushur me të tillë. Aq sa figura publike po tejkalon rëndësinë e veprës që tashmë pak njihet.

Metri nacional-folklorik i gjykimit të veprës dhe figurës së Kadaresë vjen e merr pamje e një norme kombëtare, e një psikologjie që budallalleps të gjithë.

Ta zëmë, një antikonformist si Agron Gjekmarkaj – i vetëshpallur si i tillë pak vite më parë meqenëse si katolik padyshim që mendon perëndimorçe dhe në kundërshtim me zhdanovizmën tosko-enveriste – sot bënte një shënim që nuk dallon në asgjë nga ndonjë shkrim i “Zërit të Popullit” të viteve ’80. Le që ç’themi kështu? “Zëri i Popullit” ka qenë gazetë serioze, veç mos të ta bënte një kritikë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, që drejtohet edhe ajo nga një intelektual i shquar, shënonte në në Facebook se edhe vepra e njohur e Kadaresë, “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” tematizon shpirtin liridashës të shqiptarit, ndërkohë që aty subjekti është një gjeneral pa armë që vepron nën peshën e një psikologjie distopike të viktimës së humbjeve të të tjerëve, edhe pse drama e tij në fakt kundërbalancohet jo nga shpirti liridashës i shqiptarëve, por nga tragjedia e plakës Nicë që zbulon edhe imoralitetin e një vendi të qytetëruar. Por ndoshta statusi në Facebook do jetë krijesë-sajesë e ndonjë ish-drejtori të Akrivit!

Pra kështu Kadare jo vetëm që vjen e epitomizohet si Letërsia, por përmes këtij përroi fjalamanësh të padin, vjen e mbushet me tiparet e këtyre të fundit, që padashur, ose pse konformohen, vijnë e rrëfëejnë vetëm fabulën nacionaliste. Kjo është një optikë që dëmton veprën dhe shkrimtarin, imazhi i të cilit disiplinohet brenda një ceremoniali pa kuptim dhe që nuk sugjeron më asgjë me brendi.

Do të vijë vallë një ditë që këta dhaskalë që shpërndajnë dekorata verbale të kuptojnë sesa të shëmtuar janë? Sesa shmëtuar flasin? Sesa keq e mësojnë brezin e ri, atë që dëgjon e shikon? Sesa të ngushtë e kanë dritën që pranojnë t’u hyjë në kokë? Sesa dëm i bëjnë mbarë shoqërisë me aureolën e rreme që i kanë krijuar vetes?! Ndoshta, por ne dimë me siguri se në përrallën e Borëbardhës, shqiptari në shumicën e rasteve, është në rolin e shtrigës që nuk e pranon të vërtetën e pasqyrës.

Në aspektin letrar Kadare aktualisht është pjesë e historisë së letërsisë shqipe, ai nuk jep më asgjë. Kumti i veprës së tij, etika e saj madje, i takojnë shekullit që lamë pas, edhe pse përfaqëson arritjen madhore të letërsisë shqipe. Askush nuk diskuton më për këto. Politika e rreme që vepron në çdo qark publik në Shqipëri – ku tjetër shpallet e tjetër bëhet – kërkon pikërisht këtë: të ketë pika tubimi duke mbajtur me serum një figurë, paçka se shpërfill një letërsi mbi të cilën nuk arrin kurrë të diskutojë. Dhe as do për të dëshmuar se vogëlsia shpirtërore dhe djallëzia publike janë armatura e atyre që sillen si agjentë të identitetit tonë, edhe pse janë tharme të asgjësimit të tij, duke ia mpirë imagjinatën dhe duke e mbushur me kallëpe të vjetra, si ato blloqet e betonit mureve të ndërtimeve pa leje që e shpërfytyruan këtë vend.

Latest articles

Related articles