Kush është sot Lideri i Opozitës? – nga Indrit Vokshi

Arsyeja pse Sali Berisha nisi foltoren ishte që nëse arrestohej, të arrestohej duke qenë “lider i Opozitës”. Të mos thuhej se po arrestohet një deputet i thjeshtë i parlamentit por “Lideri i Opozitës”.

Veprat për të cilat Berisha përflitet janë “Klubi Partizani”, “Gërdeci” e “21 janari”. Këto ngjarje kanë ndodhur kur Berisha ka qenë kryeministër, jo në opozitë; pra kanë ndodhur kur ai ka qenë kryetar i pushtetit, jo kryetar i opozitës.

Të arrestohesh pse je kryetar i opozitës, quhet nëse arrestohesh për veprimtari politike opozitare kundër pushtetit. Nuk quhet arrestim i kryetarit të opozitës kur ai hetohet për vepra që nuk i ka kryer si opozitar por si qeveritar. Fjalavjen, Albin Kurti është arrestuar si opozitar dhe gjatë veprimtarisë opozitare.

Por titulli “kryetar i Opozitës” iu duhet politikanëve për tu viktimizuar. I kryejnë veprimet si qeveritarë, pastaj shkojnë e fshihen pas emrit opozitar.

Ketë mund ta bëjë shumë mirë Edi Rama kur të mos jetë më në pushtet; të hetohet për Incineratorët por të ankohet se po e arrestojnë si kryetar të opozitës.

Opozitë dmth politikë e cila adreson shqetësimet e njerëzve, politikë e cila përfaqëson interesat e gjëra ligjore, ekonomike, politike, morale, fetare, kulturore e karrieriste të njerëzve. Opozita nuk është vend për tu fshehur ish-qeveritarët të cilët siç u pa, kur fshihen pas opozitarizmit e shkatërrojnë dhe e rrënojnë organizimin opozitar.

Sot, ne opozitarët e Shqipërisë, kemi nevojë për opozitë dhe “kryetar të opozitës” që të funksionojë, të përfaqësojë pretendimet e njerëzve, të flasë për njerëzit, njerëzit t’i besojnë dhe t’i japin të drejtën për të qeverisur Shqipërinë.

Nuk kemi nevojë për një opozitë e cila si synim kryesor ka të mbrojë ish-qeverinë. Të gjitha veprimet, kalkulimet, përzgjedhjet e zgjedhjet t’i bëjë për të mbrojtur ish-qeverinë. Kur ka ketë synim, ajo nuk është më opozitë, ajo është ish-qeveri e maskuar pas emrit opozitë. E Berisha nuk është opozitar por ish-qeveritar.

Prandaj bota demokratike ka mbështetur rotacionin brenda shtetit dhe brenda partive; që shtetet dhe partitë të mos mbeten pengje të ish qeverive e ish liderëve. Liderët mbyllin mandatin dhe largohen, nuk lejohen të bëhen barrë për shtetet e partitë.

Ndryshe ndodh me “opozitën” në Shqipëri. Ka të njejtin person prej vitit 1990 i cili fshihet ku të mundet, pas opozitës, pas demokracisë e pas pluralizmit, pas Kosovës, pas sovranizmit. E për çudi nuk del askush nga politikanët e djathtë të thotë: “Nuk është ai kryetar i opozitës, kryetar i opozitës jam unë, sepse unë përfaqësoj e adresoj pretendimet e njerëzve”. Janë të gjithë ngordhalaqë.

Duke qenë kështu, duke qenë ngordhalaqët në opozitë, ne do të vazhdojmë të dëgjojmë manipulimin se regjimi po arreston opozitën, kur e vërteta është më banale; një prej ish-kryeministrave të Shqipërisë është person nën hetim për veprimet e kohës kur ishte në qeveri. Diçka krejt normale kjo për botën demokratike ku janë hetuar Sarkozia, Filloni, Berlusconi, Andreoti etj. Por anormale për botën politike tribalo-bolshevike të Shqipërisë ku “prekja” e idhullit të tribusë primitive, quhet herezi dhe krim i rëndë.

Por hajt se do kalojë, me pak çoroditje por do kalojë.

Latest articles

Related articles