𝐀𝐧𝐭𝐢𝐤𝐨𝐧𝐟𝐨𝐫𝐦𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐢 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐭𝐚𝐥𝐞𝐧𝐭𝐢 𝐭𝐞̈ 𝐦𝐚𝐝𝐡: In Memoriam: Bajar Berisha

spot_img
Advertisements

Rafet Rudi

Në jetën tonë muzikore është konsideruar si person “jo i zakonshëm” “i çuditshëm”, madje edhe “person kontraverz”, për shkak se në punën e tij si dirigjent apo si pedagog nuk i përmbahej normave të zakonshme të veprimit e të komunikimit me orkestrantë, me studentë, të komunikimit me kolegë etj. Dhe kjo shoqëri e jona e cila kursesi nuk lejon të mos i përngjash një MODELI (të imagjinuar të kultivuar e të dizajnuar nga një mentalitet i ngurtëzuar në kohë nga një kulturë puritane dhe nga një mendësi gadi konzervativ) nuk fal asnjë shmangie nga ky model, e aq më pak nuk fal ndonjë gabimin eventual e të paqëllimshëm, madje përkundër talentit, nivelit profesional, përkundër rezultateve artistike evidente. Bajari deri në fund të jetës, nuk i kuptoj (apo nuk ka deshti t’i kuptojë) këto “kushte” që shoqëria jonë i vendos një personaliteti publik, qoftë edhe një artisti të jashtëzakonshëm, ndërkohë që pranon me lehtësi devijime të ndryshme shoqërore, dhe po kjo shoqëri me lehtësi glorifikon artistë mediokër, artistë të rrejshëm e ndonjëherë edhe artistë matrapaz! Ai është thjeshtë “viktimë” e mos përshtatjes së duhur konvencioneve të etabluara tona shoqërore. Bajari kishte kundërshtarë jo të paktë (si çdo artist), kishte mohues së punës që bënte (por jo të talentit të tij!), kishte edhe miq që e qortonin, por vështirë është të gjendet një muziktar te ne që nuk e ka vërejtur talentin e tij të pasur, muzikalitetin unik dhe origjinalitetin e personalitetit të tij.
Ndërkaq, të gjitha “të metat” që ai i kishte dhe që ia zinin për të madhe të tjerët, mua, nuk më janë dukur asnjëherë të bindshme dhe nuk kam mundur asnjëherë t’i pranoj deri në fund, duke qenë se me Bajarin njiheshim shumë gjatë, që nga fillimet tona të përbashkëta: në të njejtën ditë kemi startuar në degën e Dirigjimit, kemi qenë bashkarisht në studime në klasën e profesorit të njejtë, në të njejtën ditë kemi diplomuar (qershor 1973) madje, me paraqitje të përbashkët koncertale në udheqjen e Filharmonisë së Beogradit; punuam bashkë si arsimtarë, për dyzet vjet me rradhë, në Akademinë e Muzikës deri në pensionimin tonë. Ndonëse akcenti i angazhimit tim krijues ishte drejtimi dhe fusha e Kompozimit që i ipja gjithmonë prioritet, Bajari u përqëndrua me besnikëri fushës së dirigjimit dhe punës pedagogjike. Ishte muziktar i gjithanshëm, intelektual i rrallë, njohës i mirë i literaturës, i filmit dhe disa fushave të tjera të veçanta – si asaj të mjekësisë dhe astronomisë së popullarizuar. Bajarin e karakterizonte 𝑚𝑜𝑑𝑒𝑠𝑡𝑖𝑎 (e shoqëruar me mungesë të afinitetit për promocion personal) dhe 𝑠𝑖𝑛𝑞𝑒𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖 “i tepruar”! Ndonëse punoj gjatë gjithë kohës në Fakultetin e Arteve, ai paralelisht ishte prezent edhe si dirigjent i Orkestrës simfonike të RTP-së.
Në analet e jetës sonë muzikore ka një mori datash të rëndësishme për historinë tonë në të cilat Bajar Berisha ishte protagonist kryesor. Në fillimin festiv të Radio-televizionit të Prishtinës (më 26 nëntor 1975), kur zyrtarisht filloj punën edhe Orkestra Simfonike e RTP-së, ai ishte dirigjent kryesor; udhëhoqi paraqitjen e parë të një Orkestre tonë simfonike në “Lojrat Verore të Dubrovnikut” në vitin 1981, me ç’rast mori lavdata të jashtëzakonshme nga opinion i gjërë jugosllav; në periudhën 1974-1990, vazhdimisht ishte prezent në punën me Orkestrën tonë simfonike, me të cilin pati me qindra prezentime; në periudhën 1982-1983 specializoi dirigjimin në Konzervatorin e Berlinit; në inaugurimin e Katedrales ‘Nënë Tereza’ më 2010, dirigjoj ‘Rekuiemin’ e Moxartit; që nga formimi i Akademisë së Muzikës në vitin 1975 e deri në pension ishte Profesor i Dirigjimit; në periudhën e pasluftës formoi disa kuadro të dirigjentëve tanë, të cilët sot me sukses udhëheqin jetën muzikore; është autor i Fjalorit enciklopedik muzikor etj. Bajar Berisha njihej si një dirigjent me memorie të jashtëzakonshme, kështuqë shumë prej programeve dhe veprave të mëdha simfonike e vokalo-instrumentale i dirigjonte përmendësh. Për mendimin tim, ishte njëri prej dirigjentëve më të talentuar të gjeneratës së tij në regjion.
Natyra e tij e mospërshtatjes së rregullave të domosdoshme për një dirigjent në punën me orkestër dhe gjithashtu rrethanave fatkeqe që pat ky vend për një kohë të gjatë, bëri që ai mos të bëj një karierë të mirëfillt, ndërkombëtare për të cilën ai kishte predispozicione të padiskutueshme.
Në kohën e pasluftës, (pos një apo dy herë në manifestime të rastit) nuk dirigjoj me Filharmoninë e Kosovës, që mund të konsiderohet si fatkeqësi për jetën tonë muzikore. Përkundër aftësive dhe reputacionit të lartë që kishte në mesin e profesionistëve, nuk dirigjoj asnjëherë në Tiranë – Tirana muzikore atë nuk e njihte!
Prishtinë, 3 janar 2024

spot_img

Latest articles

Related articles