Ne na duhet një Epope Shqiptare! – nga Admir Malaj

Në 2024 ne mundet, në fakt ne duhet të çlirojmë veten …, nga vetja jonë. Ka ardhur koha të krijojmë një histori tjetër për shqiptarët dhe këtë ta shkruajmë, ashtu siç e duam ne për veten tonë…, si fitimtarë.

Si çdo histori që të mbetet ajo duhet të mbështetet në imagjinatë, ëndrra, frikëra, shpresa …, sepse një vizë e hollë ndan makthin nga ngazëllimi …, e ajo vizë, me një të rënë lapsi ndan errësirën nga drita, dështimin nga fitorja, harresën nga përjetësia.

Ne na duhet një histori …, që zgjat pafund, si një epope, me shumë personazhe …, e me shumë histori brenda historive…, e gjërë dhe pjellore, e shprehur në forma të ndryshme artistike …, të shkruajtur, pamorë, zanore …, foto, video, këngë …, himne, flamuj, daulle, gërrneta …, zë, piano e çifteli.

E ku ka më mirë se sa ta fillojmë me Kombëtaren tonë?

Ta manifestojmë artistikisht ambicien tonë dhe ajo do të vijë materialisht …, në këtë kohë që po jetojmë …, ta besojmë ne dhe besimi ynë në fitore do të mbushë me hezitim rivalët tanë.

Evropa do jetë sofra jonë!

Imagjinoj futbollistët shqiptarë …, në çdo qytet apo fshat të tyre …, që nisen në agim me tuta …, po me tuta si Rocky Balboa niste vrapin në rrugët e Filadelfias …, e vazhdojnë në mes të ftohtit dhe çajnë shtigje, rrugë, tregje …, e ashtu duke ecur përpara mbledhin rreth vetes fëmijë dhe jo-fëmijë që i shoqërojnë …, me vrap, …, deri kur futbollistët arrijnë secili në një majë shqiptare …, në majë të Kishës së Laçit, në majë të Kalasë së Himarës, tek Teqeja e Sari Salltikut, tek Kalaja e Lëkurësit, Manastiri i Shën Marisë në Dhërmi, tek Piramida e Tiranës, e në shumë e shumë vende të tjera ku shqiptari e ndjen veten shqiptar …, në Shkup, në Prishtinë, në Ulqin …, në Evropë!

Aty në majë …, secili prej tyre ngrin duart lart dhe thërret fitoren …, e manifeston, e bën të vetën.

Do duhej të mendohej për kolonën zanore, grafikat dhe …, shpirtin e një fushate të tillë marketingu ndërmjet materiales dhe hyjnores …, një epope post-moderne për një nga popujt më të vjetër në Botë …, që sot rilind në formën Marveliane heronj që flasin ende gjuhën e Zeusit!

Le ta lëmë këtë diskutim të hapur …, për 2024.

Latest articles

Related articles