Shtrenjtimi i apartamenteve pritet të vijojë edhe në vitin 2024!

Blerja e një apartamenti do të kushtojë edhe më shtrenjtë në muajit në vijim. Një nga treguesit që dëshmon se çmimet e ndërtimeve të reja do të jenë edhe më të larta, është Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, i cili vijon të rritet.

Referuar raportit të fundit të INSTAT, në tremujorin e tretë të këtij viti kostot në sektorin e ndërtimit u rritën me 4.2%, të ndikuara kryesisht prej çmimit të energjisë elektrike dhe prej rritjes së pagave për shkak se ka mungesë stafi dhe për të mbajtur punëtorët po rrisin pagat.

E dhëna e fundit për pagat në këtë sektor është ajo e gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ku rroga mesatare përllogaritej nga INSTAT në 56.117 lekë nga 51.025 lekë që ishte në fund të vitit të kaluar.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rritja më e fortë e çmimeve ka qenë tek grupi i shpenzimeve për energji me 6.6%, ndjekur nga shpenzimet për paga me 4.8%, më pas është transporti dhe kosto të tjera me 4.2 dhe 4.1%, e në fund janë shpenzimet për makineri me 2%.

Rritja e kostove për ndërtuesit përkthehet direkt në çmime më të larta për qytetarët, të cilët po përballen me çmime qiraje mbi 300 euro për apartamente 1+1, dhe ku metri katror për blerje ka kapërcyer mbi 1000 euro pothuajse në të gjitha zonat e Tiranës.

Rritja e çmimeve është paralajmëruar edhe nga ndërtuesit pasi në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, ky sektor priste që rritja e çmimeve do të vazhdonte edhe për tre muajit e ardhshëm.

Ndërkohë mbi 84% e qytetarëve të pyetur nëse planifikojnë të blejnë një shtëpi në të ardhmen shprehen JO, referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë.

Një tjetër e dhënë pesimiste vjen nga Agjencitë e Pasurive të Paluajtshme, ku rreth 96% e të anketuarve presin që çmimet të jenë të qëndrueshme dhe në rritje, dhe vetëm 4% prej tyre thonë se çmimet do të ulen.

Latest articles

Related articles