Partia Demokratike reagoi sot në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit që sipas saj, e gjen Shqipërinë të renditur si një nga shtetet më të korruptuara në Europë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International.
“Korrupsioni është një ndër faktorët kryesorë që kërcënojnë demokracinë, një ndër shkaktarët e situatës së vështirë ekonomike, paqendrueshmërisë social -politike në vend, është shkaktari kryesor i mungesës së shpresës, prespektivës së qartë për të ardhmen dhe më e rënda i largimit masiv të të rinjve”, u shpreh në rrjetet sociale anëtarja e Kryesisë së PD-së, Taulanta Jupi.
Sipas saj, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit, mbështetja ndaj organeve të drejtësisë, mbështetja ndaj SPAK-ut, ndëshkimi i kujtdo që ka abuzuar me pushtetin dhe besimin e qytetarëve duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë për ndërtimin e shtetit të së drejtës, është sfida më e madhe që kemi sot.
“E pikërisht për të dalë nga ky rreth vicioz ku rrotullohemi pambarimisht prej 32 vitesh, krahas mbështetjes pa kushte ndaj SPAK-ut, Vetingu i politikanëve është domosdoshmëri”, u shpreh Jupi.



