Të dehur në timon dhe pa lejedrejtimi, arrestohen 16 persona

Policia Rrugore e Vlorës dhe Sarandës gjatë muajit nëntor ka vënë në pranga 16 drejtues mjetesh, nga këta 11 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 5 për drejtim mjeti pa lejedrejtimi.

Policia bën të ditur se, kontrollet e shtuara kanë si qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore me pasoja për jetën e përdoruesve të rrugës, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore dhe lehtësimin e qarkullimit gjatë fashave të orareve me fluks të shtuar në qytet.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë monitoruar pandërprerë akset rrugore, me pajisje të logjistikës bashkëkohore, me qëllim evidentimin e shkeljeve që janë burim aksidenti.

Si rezultat, gjatë muajit nëntor, janë ndëshkuar administrativisht në total 7533 drejtues mjetesh.

Nga këta, 3830 drejtues mjetesh, janë ndëshkuar për qarkullim me shpejtësi tej normave të lejuara. 415 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për parakalime të gabuara.

22 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për përdorim të celularit, gjatë drejtimit të mjetit.

43 drejtues motomjetesh janë ndëshkuar për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.

Gjithashtu, 222 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për mosvendosjen e rripit të sigurimit.

Ndërsa, 1917 drejtues janë ndëshkuar për parkime të gabuara.

1084 drejtues automjetesh janë ndëshkuar për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Gjithashtu janë tërhequr gjithsej 17 leje drejtimi, nga të cilat 4 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 13 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Policia e Rrugore e DVP Vlorë apelon të gjithë përdoruesit e rrugës, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor, si dhe të kallëzojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së tyre.

Latest articles

Related articles