Kur kanë kaluar 7 muaj nga vrasja e biznesmenit në Lezhë, Ardian Nikulaj, autoritetet marokene i kanë përcjellë homologëve të tyre shqiptarë aparatin celular të Ruben Saraivës, 28-vjeçarit portugez i cili dyshohet se kishte rolin e ekzekutorit në eliminimin e biznesmenit.
Komunikimet qe autori u dyshuar ka shkëmbyer me persona te tjere do t’u shërbej hetuesve për të pasur prova të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë qe ndodhi më 19 prill të këtij viti, brenda ambienteve të hotelit të tij në Shëngjin.
Të arrestuar në Britani të Madhe janë pjesa tjetër e grupit kriminal, Edmond Haxhia, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman dhe Harry Simson, për të cilët akoma nuk ka një vendim ekstradimi në Shqipëri.
Organizator i vrasjes së Nikulajt ishte shqiptari Edmond Haxhia, ndërsa 4 britanikët, së bashku me Simson kishin rolin e vëzhguesve. Sa i përket Saraivës, ai ishte personi që e qëlloi atë për vdekje.
Policia dyshon se ekzekutimi i biznesmenit Nikulaj është bërë për gjakmarrje. Oficerët e policisë po hetojnë mbi konfliktin 20 vjeçar që Nikulaj ka me fisin Lekstakaj. Përplasja për një 10 mijë lekësh, në një pikë karburanti, që përfundoi me bilanc tragjik me disa të vrarë.
ARRESTIMI I PORTUGEZIT NE MAROK
I riu portugez u arrestua rreth 3 javë pas ekzekutimit të biznesmenit Ardian Nikulaj, në Rabat të Marokut.
“Falë informacioneve të siguruara si rezultat i punës kërkimore, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja në Marok, e autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Ardian Nikulaj. Policia marokene, pas shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Rabat, Marok, ka bërë të mundur lokalizmin në Rabat, Marok, kapjen dhe vënien në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, të shtetasit portugez Ruben Saraiva, 28 vjeç. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me vendimin nr. 97, të datës 26.04.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, tha Policia e Shtetit në atë periudhë.



