Edhe këtë 28 Nëntor Korca nuk harroi traditën tashmë shekullore të mbajtjes së një meshe për bekimin e flamurit.
Është i vetmi qytet në vend që realizon një ceremoni të tillë fetare.
Mitropoliti i Korçës Imzot Johani ka përcjellë bekimin për flamurin kombëtar, duke u shprehur se atdhetar është ai që lulëzon vendin e tij dhe jo ai që thotë vetëm fjalë të bukura.Për herë të parë mesha e flamurit është mbajtur nga Fan Noli, në kishën e Shën Gjergjit në Korçë në vitin 1923 dhe prej atëherë është kthyer në një traditë të përvitshme dhe mbahet çdo 28 Nëntor në kishat e qytetit juglindor.
Imzot Joani, Mitropoliti i Korçës e Voskopojës, ka përcjellë mesazhe të rëndësishme pas meshës së Flamurit të mbajtur në juglindje të vendit. Në fjalën e tij, imzot Joani apeloi për më shumë dashuri për vendin ku jemi lindur e rritur, ndërsa tha se fjalët e mira pa vepra i ngjasojnë një peme pa fruta.
“Doksologjia ka 2 elementë kryesorë, ka falënderimin, ka edhe angazhimin. Falënderimin për Perëndinë, për vendin që na ka dhënë, na ka dhënë një vend të bukur që ka gjiithçka, ka fusha, kodra, pyje, lumenj, liqene. Falënderimi nuk mbaron vetëm thjesht duke thënë fjalë, por me vepra. Edhe ky është elementi i dytë, angazhimi. Gjithsecili nga ne nëse do Perëndinë, padyshim që do dojë edhe vendin që e ka lindur dhe rritur, e do dojë edhe popullin e tij. Atdhetar i vërtetë është ai njeri që lulëzon vendin e tij, jo ai që thotë vetëm fjalë të bukura. Fjalët e bukura pa vepra janë si pema pa fruta, e fruti i vërtetë i dashurisë është gjithmonë vepra. Ndaj le ta lulëzojmë vendin tonë e le të përpiqemi e Zoti do ta bekojë këtë vend e do të na bekojë ne”, – tha Imzot Joani, Mitropolit i Korçës e Voskopojës.



