Një kullë nën hetimin e SPAK -Bizneset bëhen ura për të mundësuar pastrimin e parave

spot_img
Advertisements

Një nga kullat më të larta në Tiranë është raportuar se po hetohet së fundmi nga SPAK. Duke folur mbi paranë e pistë në ekonomi dhe veçanërisht në sektorin e ndërtimit, gazetari Klodian Tomorri tha në “MCN Economy” se ka një mpleksje të bizneseve, që paratë me origjinë të dyshimtë të investohen në ekonomi. Tomorri tha se ka dyshime që një gjë e tillë ka ndodhur në raste të caktuara edhe me bankat. Gazetari vuri në dukje se furnizimi i ekonomisë me para nga aktivitete të paligjshme çon në kriminalizimin e sektorëve të tërë, në kriminalizimin e ekonomisë.

Hetimi ka nisur për shkak të përgjimeve, apo më saktë dekriptimit të përgjimeve në aplikacionin SKY, dhe që këtej pastaj është shkuar të pasuritë e personave që kanë dalë aty. Sa i takon zinxhirit të transaksioneve për objektin në fjalë, ka pasur një lajm që pjesë e transaksioneve për kullën që flitet, ka qenë edhe kompania që ka marrë koncesionin e Check Up-it, çka është një rast tjetër që na tregon se si bizneset shpesh mpleksen me paratë që kanë origjinë të dyshimtë, dhe ndonjëherë bëhen urat, apo lehtësuesit që paratë që vijnë nga aktivitete të paligjshme të investohen në ekonomi, të qarkullohen dhe të pastrohen.

Nuk është çështje ligji, sepse të gjithë ne e dimë kush ishte pas kullës te ekspozita, apo kullës tjetër. E dinte edhe Prokuroria. Çështja është se këta s’bëjnë asgjë, derisa ua kapin andej jashtë, dhe pastaj janë të detyruar të marrin masa dhe të ndërhyjnë. Nuk është çështje ligji, është mungesë vullneti të autoriteteve, ndoshta është edhe një strategji për të lejuar një aktivitet ekonomik, ndoshta mendojnë se kështu do zhvillojnë ekonominë dhe do zbusin pakënaqësinë që mund të ketë në publik për një ngadalësim të mundshëm. Kjo ka risqe të tjera shumë më të mëdha se sa fakti që ekonomia në një vit mund të jetë në krizë. Të furnizosh ekonominë me para nga aktivitete të paligjshme çon në kriminalizimin e sektorëve të tërë, në kriminalizimin e ekonomisë, dhe aty s’ka të ardhme më.

Këtu është mpleksur biznesi, dhe shpesh binzesi që ne e quajmë legjitim, është bërë një instrument që lehtëson futjen e parave me origjinë të dyshuar në ekonomi. Kam dyshime se në raste të caktuara kjo ka ndodhur edhe me bankat. Në rastin e ndërtimit mënyrat si pastrohen paratë janë të shumta. Nuk janë vetëm investitorët, janë furnitorët, kompanitë që furnizojnë lëndët e para të ndërtimit, kanë nga pas njerëz me rekorde kriminale. Sot në Tiranë s’ka nevojë të kesh para për të nisur një ndërtim. Edhe ajo pjesa që të kërkohet burimi i investitorit s’ka ndonjë vlerë shumë të madhe. Këtu mund të fillosh të ndërtosh pa lekë, betonin ta sjellin pa leke, fillojnë shitjet që në gropë. Do duhet të shtrihet gjëja përtej investitorët. Pastrimi ndodh edhe në krahun e atyre që blejnë. Ka njësi në qendër të Tiranës që shiten me 15 mijë euro metri/katror, dyqane, apo apartamente me 3-4-5 mijë euro në qendër të Tiranës!

spot_img

Latest articles

Related articles