Nga Gentian Gaba
Nuk jam partizan i “justicializmit”, një republikë parlamentare bazohet mbi përparësinë e legjislativit, sigurisht të kontrolluar dhe të balancuar nga pushtetet e tjera. Është banale ta thuash, por kështu funksionon sistemi që kemi zgjedhur, paçka se për tre dekada ka qenë kryesisht jashtë funksionit, ose më mirë, nën hyqmin e politikës.
Megjithatë, në këtë moment historik, të ideuar, mundësuar, dhe financuar nga SHBA-ja dhe BE-ja, jemi dëshmitarë të rimëkëmbjes së autoritetit dhe pushtetit të drejtësisë, që po shkakton një tërmet në sferat e larta të politikës, pasojat e të cilit, po i ndiqni ekraneve. Kështu do të vijojë për disa muaj, derisa të arrihet një ekuilibër i ri, pas prishjes së rendit të vjetër.
Për pasojë, pjesë të mazhorancës dhe opozitës kanë vetëm një parti:
Partia anti-SPAK.
Skenat e kontrolluara të rrëmujës që priten të nisin pas pak në kuvend, sherret me buton, krijmi i një tensioni politik të rremë, grricjet fiktive, lajmet denigruese për SPAK-un (si ai i letrave higjenike), të ideuara për t’i goditur kredibilitetin institucionit nga ata, që për dekada kanë pastruar të ndenjurat me Kushtetutën dhe me paratë e shqiptarëve, janë tregues i humbjes së davasë, përballë këtij realiteti të ri. Natyrisht, si çdo institucion njerëzor, edhe SPAK-u, do të ketë të metat e tij por, të mbështesës pretendimet e atyre që janë subjektet e SPAK-ut, teksa ky institucion po hyn në regjim të plotë, është si të presësh degën mbi të cilën jemi ulur të gjithë.