Politika e sekuestruar – REDAKSIONALE

Partitë politike bëjnë shumë mirë që kërkojnë të kthejnë elektoratin që iu mungoi në 14 maj. PD e ndarë në disa pjesë nuk nxori dot 250 mijë votues të saj. PL nuk është e qartë sesa vota ka. Të abstenuarit e djathtë janë shumica. Elektorati gri është amorf.

Kur të vinë zgjedhjet e ardhshme të gjitha pjesët e opozitës do të bëjnë llogaritë për gjërat që i ndajnë nga qeveria dhe gjërat që i ndajnë ose i bashkojnë nga njëri tjetri në opozitë. Do të shihet edhe kodi elektoral.

Logjika e zgjedhjeve parlamentare është të fitosh besimin e sa më shumë votuesve. Kjo arrihet me disa gjëra. E para është të jesh i pëlqyeshëm në popull. E dyta është të bësh politikë me akte politike. E treta…

Secili ka një mendim se çfarë duhet bërë.

E vetmja gjë e sigurtë është që të quash SPAK organizatë kriminale nuk është akt politikë. Të mbrosh dhëndrin e pasuruar në mënyrë të paligjshme me konferenca për shtyp nuk është akt politik. Të përmbysësh karrige, të ndezëse tymuese apo sharë kolegët me fjalët më të pista nuk është akt politik. Sherrxhijtë nuk i do askush.

Akt politik është të mbash konferencë me ekspertizë për Buxhetin e Shtetit për t’ju shpjeguar sesi do ndahen paratë e të gjithëve. Zbërthim të zërave dhe prioriteteve. Kush fiton dhe kush humb. Çfarë po ndodh me financat e shtetit.

Akt politik janë interpelancat, komisionet hetimore, greva e urisë e deri tek protestat popullore. Të gjitha aktet politike prodhojnë politikë.

Ndotja e mjedisit politik me kavadra politikanësh që ecin me dy këmbë dhe nxjerrin lëndë toksike nga goja është abrazioni më i madh që mund t’i ndodhë një kombi.

Latest articles

Related articles