Censura zyrtare dhe liria akademike – nga Virion Graçi

Letërsia shqipe dhe leximi i saj shkencor, sa mund të jetë i tillë çdo lexim dhe vlerësim vetjak i saj, pavarësisht statusit të lexuesit-interpretues, vazhdon të përballet me vështirësi; disa janë bashkudhëtare dhe përligjin vetë disiplinën dhe ekzistencën e katedrave universitare, disa janë specifike, vijnë nga rrethanat sui generis që kanë kaluar autorët shqiptarë dhe studiuesit e letërsisë në gjysmën e dytë të shek.XX e, për inerci a trashëgimi shpirtërore-metodologjike deri në ditët tona. Nëse në periudhën ‘45-‘91shkrimi artistik dhe shkrimi historiko-kritik për të ishin profesione zyrtare, të komanduara e të kontrolluara imtësisht nga instancat përkatëse shtetërore, në periudhën që pasoi me pluralizmin politik, pjesa e përparme e medaljonit – krijimtaria artistike – u shfaq sikundër duhej të ishte, si veprimtari individuale, në fatin e saj të pa paracaktuar, si marrdhënie e lirë e tregut të mallrave që duhet e mund të përmbushet midis autorëve/botuesëve dhe publikut, pa njohur arbitrazh tjetër veç shijes së masave, reklamës dhe rekomandimeve të pa kushtëzuara politikisht.

Ndërkohë historishkrimi, trajtimi i veprave dhe autorëve sipas vlerave, ligjërimi për letërsinë, krahas masivizimit, amatorizmit, klientelizmit e rjeteve sociale, ngelen objekt i katedrave e departamenteve përkatëse në universitete, institute e akademi, secila sipas specifikave të saj, secila brenda formatit të saj. Sipërmarrja private në fushën e botimeve solli autorë që nuk kishin mundur të botonin dot në periudhën e editorisë së centralizuar shtetërore; në periudhën prej më tepër se 3 dekada kemi autorë, tashmë me fizionomi të shquar letrare të cilët mund e duhet të ishin bërë pjesë e faqeve të reja në historinë e imagjinuar të letërsisë shqipe, mund e duhej të ishin bërë pjesë e programeve të letërsisë bashkëkohore shqipe, jo si klasikë, natyrisht, por në kuadër të panoramës evidentuese, për risitë tematike dhe stilistikore.

Një vëzhgim në programet e lëndëve universitare sa i përket letërsisë shqipe të tridhjetë viteve të fundit, një vëzhgim në programet e konferencave shkencore, në temat e kumtimeve e referimeve të lë të mendosh se ora e ligjëruesëve universitarë dhe e punonjësve shkencorë, me ndonjë përjashtim të rrallë, ka mbetur në vitet ’80 të shekullit të shkuar dhe ato vite, jo për t’i ndriçuar katërcipërisht, por për t’i sheshuar e ëmbëlsuar faktet, dukuritë. Pak ose aspak janë përfshirë në fokusin e tyre autorë të ndaluar dhe veprat që u shkruan nga ‘humbësit’, në terma të historiografisë komuniste; pak ose aspak janë bërë pjesë e trajtimeve profesionale autorët, të cilët, për arsye moshe filluan të botojnë në periudhën e tranzicionit social-politik. Ndërkohë që Instituti i Historisë, në ASA, Tiranë boton në katër vëllime dokumenta arkivore librin madhor, “Indokrinimi komunist nëpërmjet artit, letërsisë e kulturës”, ligjëruesit letrarë, kritikët, historianët e fushës u dredhojnë gjurmëve dhe dokumentave.

Skualifikimi i autorëve dhe veprave të tyre nga studiuesit, nga historianët e letërsisë, nga katedrat universitare në periudhën e letërsisë zyrtare 1945-1991 ndodhte për shkak të normës zyrtare në krijimtarinë artistike e në letërsi, krahas faktorëve shtesë rëndues që mund të ishte biografia e autorit, përkatësia klasore e tij; mbetemi në hamendje të kuptojmë se mbi çfarë kriteresh skualifikohen e heshtohen një sërë autorësh nga institucionet e sotme të studimit të letërsisë e të kulturës. Nëse në periudhën e mëparshme me të drejtë fajësohet mungesa e lirisë në shprehje, në vlerësim, në gjykimin e produktit letrar, në periudhën pasuese, cilat mund të jenë arsyet e heshtimit, të shpërfilljes?A po bën e ashtuquajtura liri akademike dhe shija subjektive e specialistëve të fushës të njëjtat shpërfillje të fakteve/autorëve/veprave sikurse edhe censura zyrtare dje?Duket se në Shqipëri shkrimi artistik është i dënuar të ketë bashkudhëtar leximin politik a klientelist.

Letërsia kombëtare në sistemin universitar sot, si kryefjalë, çon domosdo te puna akademike e universitare, te liritë individuale dhe standardet që nuk mund të jenë thjeshtë private e subjektive. Tema është e gjerë; për etikë kolegjiale nuk mund të bëjmë editimin e programeve universitare; aq më pak të sjellim temat seminarësh dhe kumtesash për të parë në çfarë raporti emocional a subjektiv është studiuesi bashkëkohor me letërsinë kombëtare bashkëkohore; për të kuptuar dukurinë, në nivel modeli problematik, po sjellim në perifrazë shembuj të viteve e muajve të fundit.
(1)Në një panoramë për romanin bashkëkohor shqiptar, mbajtur në kuadër të panairit të librit, nëntor 2020, kumtuesit, titullarë lëndësh në departamentin eletërsisë shqipe në FHF, Tiranë ishin të mendimit se romanit shqiptar ju desh kohë ta merrte veten pas përmbysjes së regjimit komunist, dhe ringritjen e tij e njohu në vitin 2008, me romanin e parë të shkrimtarit…. (Shumë e pasaktë.E pasaktë dhe tendencioze, do të thoshte gjithkush. Në fakt, dëshmon edhe katalogu i Bibliotekës Kombëtare: Deri në vitin 2008 janë një sërë shkrimtarësh të tjerë të rij, të cilët kanë botuar nga 5-6 e më tepër romane secili, romane që kanë lënë gjurmë në publik, janë ribotuar në rrjedhë të viteve, deri në vitin 2020 kur u kumtua panorama letrare e sjellë si shembull.
(2) Në panairin ndërkombëtar të librit, Torino 2023, e ftuara e vitit ishte letërsia bashëkohore shqipe. Në një listë tepër të gjatë përfaqësuesish të letërsisë shqipe, ku nuk mungonin këngëtarë e gazetarë, shkrimtarë që kanë ende nga 1 ose 2 libra gjithësej, mungonin disa nga emrat më të dalluar e mëprodhimtarë të letërsisë shqipe bashkëkohore. Po për etikë kolegjiale, nuk po e editojmë listën e autorëve të grumbulluar; ajo që është domethënëse e shqetësuese ka lidhje me autorët e shpërfillur nga institucionet kryesore, bashkëpunëtore në këtë rast: Ministria e Kulturës, QKLL-ja, Shoqata e Botuesëve shqiptarë dhe Departamenti i Letërsisë shqipe në FHF, Tiranë.
(3) Projekti i Ministrisë së Arsimit për pasurimin e bibliotekave të arsimit parauniversitar, viti 2023, në 600 tituj, letërsia kombëtare shqipe zë një vend të vogël, krahasuar me letërsitë e huaja të përkthyera; ndërkohë, nga shkrimtarët debutues pas vitit që ndan dy sistemet, janë zgjedhur vetëm 4-5 libra artistikë. Jemi de facto në një situatë përjashtimi institucional, të të njëjtëve autorë.Dihet se bazat e edukimit e të njohjes me çfarë është letërsi shqipe, krijohen e kristalizohen në sistemin parauniversitar. Aty janë të gjithë lexuesit e ardhshëm.Në sistemin universitar dega e gjuhës e letërsisë shqipe ngelet ndër më të pa pëlqyerat nga maturantët që zgjedhin të studiojnë.
(4) Në një gazetë të përjavëshme letrare-kulturore në Tiranë, muajve të fundit haset shkrimi i një autoreje të njohur, kariera e profesonale e të cilës përbashkon tre institucionet më të larta shkencore, letrare e albanologjike: Institutin e gjuhësisë e letërsisë shqipe, FHF-në dhe Akademinë e Shkencave. Ndërsa përsëriste disa herë emra shkrimtarësh shqiptarë që janë ende duke e ngjyer penën në bojë, ende janë duke e shëtitur lapsin mbi letër, ndonëse e niste argumentimin qysh nga Aristoteli, nuk përmendte kurrsesi themeluesit e prozës e novelës moderne shqipe: E. Koliqin, M.Kutelin, M. Camajn, A. Pashkun; nuk përmendej po ashtu K. Trebeshina (të paktën për “Odin Mondvalsen”), Petro Marko (për “Një emër në katër rrugë”) a Koço Kosta (për “Ata të dy dhe të tjerë”.)
Duke respektuar të lirinë akademike të secilit, jemi në të drejtën tonë të konstatimit se fryma përjashtuese është enorme dhe e pa argumentuar. Shija vetjake e profesionistit, a ka kufij?A duhet të ballafaqohet me fakte objektive kulturore-historike?E nëse i rrok tërë pamjet e prurjet letrare të letërsisë kombëtare, a dialogon me to?Parapëlqimet dhe paragjykimet vetjake a nuk krijojnë një pamje të rrejshme të zhvillimeve e arritjeve letrare në Shqipëri?
Duke parë në vija kryesore dy sisteme shtetërorë, të kundërt për nga konceptimi, por jo dhe aq të ndryshëm nga produkti përfundimtar sa i përket rrëfimit shkencor për letërsinë shqipe, bëjmë dhe disa pyetje të fundit, të natyrës retorike. Fakti se letërsia shqipe në periudhën e botës së sotme globale, pa kufij e enigma etno-kulturore, pa kërshëritë e ndërsjellëta lindje-perëndim, pa investimet shtetërore e diversionin gjeo-politik e propagandistik të periudhës së Luftës së Ftohtë, mund të mos jetë e përkthyer sa ajo pararendëse: Kjo, a ju jep të drejtë historianëve letrarë, kritikës, punonjësve shkencorë ta privojnë atë nga e drejta fillestare – nga promovimi në Shqipëri e për shqiptarët? Po shijet a paramendimet vetjake të profesoratit, të akademikëve, të studiuesëve të letërsisë shqipe – a duhet të shkojnë deri në një epokë të re përjashtimesh?
Vetëm sa i cekëm disa dukuri shqetësuese duke shtuar me ndjesi të mirë se përherë letërsia artistike ka më shumë lexues dhe ndikim shpirtëror e intelektual te shoqëria e te çdo brezni në rrjedhë të kohëve se sa ka ligjërimi teoriko-shkencor për të; mënyra se si sillemi me letërsinë tonë, mënyra si shprehemi në foltore e katedra për të, nuk ka aq rëndësi e domethënie për integritetin e saj, për vlerat e saj estetike se sa ka për vetë ligjëruesit, studiuesit, specialistët.

Latest articles

Related articles