David Cameron rikthehet ministri i jashtëm i Britanisë së Madhe

Ish kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron do të mbajë detyrën si sekretari i ri i Jashtëm, ka njoftuar Downing Street.

Emërimi i papritur i ish-kryeministrit vjen pasi Suella Braverman u shkarkua nga posti i sekretares së Brendshme dhe James Cleverly u emërua në vend të saj, duke lënë të hapur postin e lartë në Ministrinë e Jashtme, raporton Sky News.

Një deklaratë nga Downing Street thotë:

“Mbreti ka qenë i kënaqur të miratojë emërimin e Rt Hon David Cameron si Sekretar i Shtetit për Çështjet e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit. Madhështia e tij ka qenë gjithashtu e kënaqur t’i japë dinjitetin e një Baroni të Mbretërisë së Bashkuar për jetë David Cameron.”

Shkarkimi i Suella Braverman

Suella Braverman është shkarkuar nga posti i sekretares së Brendshme. Kjo erdhi pasi javën e kaluar ajo shkroi një artikull ku kritikoi trajtimin e Policisë Metropolitane të një marshimi të diskutueshëm pro-palestinez për Ditën e Armëpushimit. Kritikët, si nga partitë e opozitës ashtu edhe nga deputetët e tjerë konservatorë, i quajtën komentet e Braverman fyese. Gjithashtu, Braverman akuzoi policinë se luan me standarde të dyfishta në mënyrën se si po i menaxhon protestat e diskutueshme duke treguar një qëndrim më të butë ndaj protestuesve të krahut të majtë sesa homologët e tyre të krahut të djathtë. Ajo shtoi sulmet e saj ndaj atyre që merrnin pjesë në demonstratat pro-palestineze – duke i krahasuar ato me marshimet protestante në Irlandën e Veriut – komente që u etiketuan tërësisht fyese dhe injorante nga një ish-ministër i kabinetit konservator.

Latest articles

Related articles