Metën po e heton vetë Altin Dumani, ka prova, filmime, dëshmi, udhëtime me Kastriot Ismailajn

Artan Hoxha ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku ka folur për hetimet që po kryhen SPAK lidhur me çështjen CEZ-DIA, për të cilën është pyetur edhe Ilir Meta.

Hoxha tha se ka disa prova dhe dëshmi për lidhjet e Metës me Kastriot Ismailaj, i cili vuajti dënimin me 11 vite burg, për abuzimet me DIA, kompaninë që mblidhte borxhet e institucioneve dhe qytetarëve ndaj CEZ.

Hxoha tha se çështja po hetohet nga kreu i SPAK, Altin Dumani.

“Kjo është një nga çështjet që ka një dekadë dhe kemi kërkuar vazhdimisht të hetohet. Të dyja palët politike kanë akuzuar njëra tjetrën për një shpërdorim që shkon në 600 milionë euro. Është histori që ka patur edhe komision hetimor parlamentar. Deri tani rezulton të jetë çështja me dëmin më të madh financiar. Kjo është një histori e madhe abuzimi me pushtetin dhe korrupsionin, që më rezulton se i ka brenda të gjitha palët.

Që tek momenti se si u privatizua OSHE dhe iu tha CEZ. Në momentin kur CEZ në vështirësi për të mbledhur detyrim ndaj insitucioneve dhe qytetarëve, pajtoi DIA për të bërë këtë. Pjesa e tretë është momenti kur është rinegociuar, kur në pushtet nuk ishte më koalicioni Berisha-Meta por Rama-Meta. Të treja këto manovra që janë bërë nga shteti shqiptar duhet të hetohen, nuk janë hetuar deri tani asnjëherë.

Deri tani i vetmi person i dënuar është Kastriot Ismailaj, që bëri 11 vite burg, i janë konfiskuar 5 milionë euro, i është konfiskuar edhe pensioni i nënës. Aktualisht është jashtë territorit të Shqipërisë. Pati disa tentativa të SPAK për ta bërë bashkëpunëtor të drejtësisë. Pretendimi i Metës që kjo çështje është gjykuar disa herë, nuk është i vërtetë.

Kallëzimi i parë që është bërë për historinë e CEZ-DIA ka qenë për Berishën, Rulin dhe disa funksionarë, kjo është pushuar. Kallëzimi i dytë ka qenë për Metën, Berishën dhe të tjerë. Këto kanë ndodhur në 2016-2017. Ishte prokurori Llalla dhe këto u pushuan. Kallëzimi i tanishëm, është dosja 55, ndjekur direkt nga zoti Altin Dumani. Ka filluar në korrik 2019.

Në këtë dosje, Meta është akuzuar sepse në vitin 2009, kur janë bërë tratativat për privatizimin e OSHE, ka ndikuar nëpërmjet ambasadorit tonë në Pragë, në cilësinë e Ministrit të Jashtëm, akuzohet se ka shfrytëzuar pozicionin, për të negociuar që mbledhjen e borxheve të qytetarëve shqiptarë, ta bënte kompania DIA. Ka dalë garant që ky është njeri me lidhje të forta dhe ka infrastrukturën për ta bërë këtë.

DIA ka marrë 1.5 milionë euro, pa u firmosur akoma marrëveshja.

Prokuroria disponon, prova, filmime, dëshmi, udhëtime, të Kastriot Ismailaj me Metën. Madje është një vendim që ka favorizuar CEZ, i cili i jepte mundësinë të fitonte mbi 30 milionë euro. Duke ndikuar te ERT, është ndryshuar cmimi i energjisë, është ulur me gati 30%”, tha ndër të tjera Hoxha.

Latest articles

Related articles