Gazetari dhe publicisti Ben Blushi ka njoftuar rreth një javë më parë se romani i tij më i fundit kishte dalë nga shtypshkronja dhe fliste për Shqipërinë e vitit 2044. Në trillimin e tij, Blushi shkruan se refugjatët vijnë në Shqipëri dhe vendosen në Shëngjin.
Pas shumë vitesh, ata integrohen në shoqëri dhe sipas romanit, marrin kontrollin e institucioneve, derisa kryejnë dhe një “Komplot” dhe tentojnë të marrin qeverinë.
Mirëpo, ajo që Ben Blushi shkruan në romanin e tij që e përgatiste prej kohësh si një “profeci” duket se është bërë realitet dje, kur kryeministri Edi Rama dhe homologia italiane Giorgia Meloni njoftuan arritjen e marrëveshjes për strehimin e 36-39 mijë emigrantëve në Shëngjin.
“Në fundjavë më ra në dorë një roman i Ben Blushit,“Komploti” dhe flet për Shqipërinë në vitin 2044, ku një kamp refugjatësh në Shëngjin u bë shumicë dhe arriti të merrte bashkinë dhe më pas bëri komplot për të marrë edhe qeverinë. Kjo është trillim, por nuk prisja të dilte kaq shpejt kjo që ka ndodhur”, është shprehur dje gazetari Robert Rakipllari, duke ju referuar romanit.
Ndërkohë, një vit më parë teksa fotografonte një vajzë afgane në Shëngjin, Ben Blushi ka ndarë një fragment në llogarinë e tij në Facebook. Ndoshta, kjo ka qenë dhe periudha kur ai ka nisur të shkruaj romanin.
“Imagjinoni Shqipërinë pas 50 vitesh me shumë grupe të huajsh, që janë vendosur këtu çfarë pasurie do ishte për ne. Suedeze që vijnë për tu plakur dhe për diell, sirianë që punojnë në bujqësi, afganë që merren me shërbime, indianë që dominojnë tregun e informatikës, afrikanë që luajnë futboll, italianë që bëjnë restorante dhe na qepin rroba, ukrainas që punojë si agjentë turistikë.
Të gjithë këta do ishin shqiptarë, me të drejtë vote që punojnë në administratë, në gjykata, në ushtri, në polici etj. Imagjinoni pas kaq vitesh drejtori i policisë të jetë afgan, ministrja e kulturës iraniane e lindur në Shqipëri, kryetari i Gjykatës Kushtetuese sirian dhe ambasadorja jonë në Amerikë të jetë ukrainase me origjinë”, shkruante Ben Blushi më 24 Mars 2022.



