Liderja e opozitës italiane ka reaguar pas marrëveshjes së nënshkruar dje në Romë për emigrantët mes kryeministres Giorgia Meloni dhe homologut të saj shqiptar Edi Rama. Sekretarja e Partisë Demokratike Elly Schlein thekson se marrëveshja me Shqipërinë “është në shkelje të hapur të rregullave të së drejtës ndërkombëtare dhe ligjit europian”.
Ndër të tjera Schlein saktësoi se duhet të shikojë ende me kujdes protokollin, duke folur për Radio Capital. Ajo shtoi se Giorgia Meloni duhet të bindë aleatët e saj nacionalistë evropianë që të ndajnë mirëseardhjen dhe të mos e lënë Italinë vetëm.
Drafti i firmosur në Romë bën fjalë për dhënien e juridiksionit italian në 2 qendra që do të ngrihen në Shqipëri. Rama bëri me dije se emigrantët e parë do të fillojnë të mbërrijnë në vendin tonë nga pranvera e vitit 2024. Bëhet fjalë për emigrantët e shpëtuar në Mesdhe nga anijet italiane dhe do të transferohen në Shqipëri.
Kryeministrja Meloni, në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama tha se emigrantët do të zbarkojnë në Shëngjin (në bregdetin e Lezhës), e më pas do të strehohen në disa zona që autoritetet do të vënë në dispozicion.
“Fillimisht flasim për një numër prej 3.000 personash, ndërsa në një vit fluksi emigrator mund të mbërrijë deri në 36.000 persona. Kjo marrëveshje nuk përfshin të miturit, gratë shtatzëna dhe grupet e tjera të ndjeshme”, tha Meloni.Ajo vuri në dukje se Italia do të mbulojë shpenzimet financiare.
Dy kryeministrat thanë se tre objektivat e marrëveshjes janë: Të luftojë trafikimin e paligjshëm, të parandalojë flukset e parregullta dhe të mirëpresë ata që kanë vërtet të drejtën e mbrojtjes.