Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori pjesë në inaugurimin e linjës hekurudhore Hani i Elezit-Fushë Kosovë.
Dy tunelet, që ishin të shembur, janë të gjata njëri 262 metra dhe tjetri 122. Sipas një njoftimi të Qeverisë, projekti i përgjithshëm parasheh 13 ura të reja dhe 7 tunele të rindërtuara sipas standardeve më të larta evropiane të transportit hekurudhor.
Kurti ka thënë se vlera e punimeve në këtë segment, nga kufiri i Maqedonisë Veriut deri në Fushë Kosovë, është mbi 164 milionë euro. Ai ka shtuar se mbi 200 milionë euro është vlera që planifikohet për segmentin e mbetur nga Fushë Kosova në Mitrovicë dhe nga Mitrovica në kufirin verior të Kosovës.
Kryeministri ka shprehur mirënjohje për Bashkimin Evropian, Bankën Evropiane për Investim dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për mbështetjen e financimit dhe rehabilitimit të kësaj linje hekurudhore, “e cila do t’i sjellë qytetarët e Kosovës edhe më pranë Bashkimit Evropian”.
“hekurudha është një infrastrukturë shumë e rëndësishme që na lidh me rajonin dhe me Evropën dhe hap shtegun e rritjes e të zhvillimit që synojmë, e që fatkeqësisht për një kohë të gjatë u injorua derisa u degradua”, ka thënë kryeministri Kurti.
Kurti ka theksuar po ashtu se tashmë ka filluar marrëveshja e bashkëpunimit me Shqipërinë për hekurudhën Prishtinë-Durrës. “Pastaj synojmë të ngremë portin e thatë që kthen kryeqytetin tonë në qendër të rëndësishme të tregtisë dhe të qarkullimit, pra të shpërndarjes e të akumulimit”, ka thënë ai.