Ishte e majtë apo e djathtë Hannah Arendt? – Polemika në Francë

nga Dashnor Kokonozi

Po ndjek prej muajsh një polemikë mbi përkatësinë politike të Hannah Arendt-it.
Arsyeja më duket e kuptueshme, problematika e proceseve të globalizimit, ato ekologjike si edhe konfliktet e viteve të fundit, duket se nuk gjejnë shpjegim pa ndihmën edhe të analizave të filozofes gjermane.
Në fillim ishte një artikull i Emmanuel Faye, te L’Humanité, ku ai afirmonte se autorja e “Kushtësisë se njeriut modern” nuk ka asgjë prej mendimtareje të majtë. Tre specialistë të Hannah Arendt-it iu përgjigjën atij te “Philosophie magazine” duke e akuzuar për «mauvaise foi » (pandershmëri apo hipokrizi në ato çka thotë).
Ai i përgjigjet me një artikull të titulluar “Aristokratizmi politik i Hannah Arendt-it: një debat i nevojshëm”
Dhe gjithçka filloi nga e para, por unë do t’i bie shkurt.
Clémence Mary, i përgjigjet te “Libération” me një artikull të gjatë, ku thekson se “Hannah Arendt nuk i përket të djathtës”. Por ajo mbledh rrotull vetes dhe interviston një numër specialistësh të Arendt-it, jo kërkues kritikë, gjë që Emmanuel Faye nuk e vlerësoi shumë. Iu shmang sulmeve personale, duke thënë se ato nuk e ndihmojnë debatin, dhe shtroi pyetjen se në cilat parime mbështetet mendimi i H. Arendt-it: është fjala për një mbrojtje të barazisë njerëzore apo përkundrazi, flet për një aristoktarizm të ri të logjikës së Nietzsche-s, Spengler-it dhe figurave të mëdha të “Revolucionit konservator” gjerman?
Tre autoret e mësipërme thonë se Arendt “është një teoriciene e çmuar e barazisë” dhe “kurrë nuk është shqetësuar për humbjen e aristokracisë politike dhe shpirtërore”
Faye kaq deshte dhe përgjigjet se: “Arendt ankohet se në këtë shoqëri (atë të punës që është e bababartë) nuk ka mbetur asgjë nga aristokracia politike dhe shpirtërore që mund të nxisë restaurimin e cilësive të tjera të njeriut”.
Më tej shton se Hannah Arendt i cilëson shoqëritë egalitare, pra demokracitë, si përgjegjëse të një lloj nivelimi (nga poshtë do të shtoja unë) që pengon restaurimin e cilësive njerëzore që janë të vetmet që do të bënin të mundur një aristokraci politike apo shpirtërore”
Citimit të tre polemisteve se idetë e saj janë pa asnjë ekuivok dhe se: “ … Arendt e cilësonte në mënyrë pozitive Revolucionin francez që ishte sjellës premtimesh të rëndësishme”, Faye, pyet nëse ato e kanë lexuar esenë e saj “Mbi revolucionin (1963)”, që është një kritikë e rëndë e Revolucionin francez që ishte një “katastrofë” (As unë nuk e kisha lexuar por gjithmonë kam menduar se ai ishte me të vërtetë një katastrofë që më 1917 do të pjellë një katasftofë edhe më të madhe).
Arendt flet mrekullish vetëm për Revolucionin amerikan, thotë Faye, i cili ndryshe nga Revolucioni francez nuk e shfuqizoi skllavërinë. Dhe koncepti arendtian i “veprimit së bashku” nuk është gjë tjetër veç rimarrja pikë për pikë e formulës “acti in concert” e teoricienit anglez të kundërrevolucionit Edmund Burke. Ashtu sikundër ky “të drejtat e anglezve” ua kundërvinte të “drejtave të njeiut” që mbronte Revolucioni francez, edhe Arendt vlerson se nuk ka “barazi natyrore”.
Ai citon edhe një studim të tijin (Arendt dhe Heidegger. La destruction dans la pensée Albin Michel, 2020), ku thotë se duket qartë se koncepti arendtian për shoqërinë paraqitet thellësisht aristokratik dhe i pabarabartë!
Polemika vazhdon, por nuk do t’i shqetësoj gjatë lexuesit me tema të tilla, se kë do të njoftoj pastaj për romanin tim të ri?

Latest articles

Related articles