Grant Van Cleve, një investues amerikan me bazë në Kaliforni zgjidhet President i AmCham

Votimet sapo u mbyllën sot në darkë ku u desh një rinumërim për të konfirmuar dhe anëtarët e rinj të bordit, Reshard Këlliçi nga Harry Fultz dhe Ilir Rudi nga Abi Bank.

Ndërkohë që konfirmohet bindshëm si Sekretar Dritan Nako nga Antea Cement.

Po kush është Grant Van Cleve dhe kush është vizioni i tij për Tiranën dhe Shqipërinë?

Lexoni këtë blog të tij të shkruajtur së bashku me Admir Malaj që redaksia jonë ka gjetur:

Free City Tirana — #FreeTirana

Jemi në mes të një revolucioni.
Këto tre vjet kemi përjetuar ndryshime dramatike, situata të pamendueshme më parë. Ndërkohë, teknologjia ka marrë një vend qendror në përditshmërinë tonë. Sot flitet për kriptovaluta, NFT, blockchain, metaverse, apo Ueb3 si gjëra që kanë qenë gjithnjë aty, të njohura nga të gjithë. Në fakt ato janë koncepte shumë të reja. Teknologjia ka fituar terren mbi fushat e tjera: mbi ekonominë, financën, politikën, kulturën dhe marrëdhëniet shoqërore. Ajo po i transformon ato, në një mënyrë që shumë shpejt do të jetë e pakthyeshme. Jemi duke përjetuar një revolucion të vërtetë. Do të shohim progres të përgjithshëm, ashtu siç do të shohim dhe një zgjerim të hendekut midis një pakice që do të përfitojë shumë më shumë dhe gjithë të tjerëve që do të jenë thjesht pasagjere të ndryshimit. Po ne, ku duam të jemi?
Duhet të themelojmë një qytet të lirë.
Mund të bëjmë shumë analiza, por ne besojmë se kemi dy elemente që mund të shfrytëzojmë. E para mosha mesatare e ulët dhe aftësia e shoqërise sonë për t’u përshtatur. Na duhet të investojmë në edukimin në teknologji dhe të thyejmë idetë konvencionale, një koncept që e kemi parashtruar në vizionin #100MijëKoduesPërShqipërinë 2030. E dyta, ne duhet të krijojmë një qytet të lirë, jo vetëm për veten, por për të gjithë. Çdo fazë revolucioni, ose përballjesh të mëdha, ka nevojë për qytetet e lira: hapësira ku ka liri ekonomike, financiare, politike dhe shoqërore, ku limiti për marrëveshjet është qielli dhe e pamundura një koncept relativ, edhe pse nën garancinë e një autoriteti.
Ne shqiptarëve na duhet një qytet i lirë për të krijuar avantazh mes konkurentëve rajonalë.
Ta themelojmë në Tiranë!
Sot në Shqipëri ne kemi një zonë të përbërë, urbane dhe semiurbane, që shtrihet nga Durrësi deri në Elbasan, me qendër Tiranën, ku përfshihen qendra të vogla si Shijaku, Vora, Kamza. Ndërkohë Kruja në Veri dhe Kavaja, e më pas Rrogozhina e Peqini, në Jug mund ta zgjerojnë ende më shumë këtë krijesë. Pesha e kësaj zone është shumë e madhe aq sa në shumë raste mund të konkurojë dhe vetë konceptin e Republikës. Kjo ndodh shpesh me qytetet e mëdha, sidomos kur ndodhen në shtete të vogla, aq sa duket sikur këto zona metropolitane marrin trajtën e qytet-shtetit.
Nëse ne do themelonim një qytet të lirë, ai duhet të ishte diku në gjurmët e Tiranës dhe kësaj zone të madhe të Shqipërise se mesme.
Për të hyrë në Shqipëri do të kalosh nga Tirana dhe nga Tirana mund të shkosh në të gjithë Shqipërinë. Kryeqyteti ështe nje krijesë e lidhur organikisht me Botën nëpërmjet portit të Durrësit dhe aeroportit të Rinasit. Ështe e lidhur me rajonin, me nyjet tokësore në Veri, Lindje dhe Jug.
Sot Tirana, është qendra e lirise dhe teknologjisë për shumë nga ne shqiptaret, brenda dhe jashtë kufijve, është vendi ku shumë nga ne çlirohen, emancipohen dhe fitojnë pavarësi.
Qyteti i Lirë i Tiranës.
Qyteti i lirë, ose zona e lirë mund te ketë shumë trajta. Një formë organizimi mund të ishte me një hub qendror dhe disa zona satelite të ndërlidhura më njëra tjetrën nga ana infrastruktore dhe administrative. Një krijesë e re që i mbivendoset Tiranës aktuale në mënyrë simbiotike dhe me emrin “Qyteti i Lirë i Tiranës”, në Anglisht “Free City Tirana”, ose dhe thjesht “Free Tirana”. Në këtë hapësirë të vetë-administruar nga komuniteti sipërmarrës, krijues dhe shoqëror duhet të ketë liri “totale” të aktiviteteve ekonomike, financiare, teknologjike, artistike dhe kulturore. Një vend ku shkon, shikon dhe fiton. Në këtë hapësirë dhe në satelitët e saj mund të ketë qendra të kërkimit dhe zhvillimit, edukimit, prodhimit, shpërndarjes. Mund të ketë vend edhe për qendra koordinimi rajonal dhe organizata me funksione rregullatore, advokimi e lobimi publik e privat, media, e shumë gjëra të tjera. Ky përqëndrim organizatash do të fuqizonte dhe gjithë industrinë e hotelerisë, eventeve dhe mikpritjes.
Kjo krijesë do të përfitojë nga linfa e Tiranës së madhe dhe do të mbledhë energji jetësore nga rajoni dhe Bota, duke u rritur në gjurmën e zonës së panderprerë urbane dhe semiurbane të Shqipërisë së mesme, me vizionin e krijimit të një zone edhe më të madhe, “a greater area”. Kjo do t’i rikthente më pas Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit burimet e nevojshme për t’u integruar në një metropol edhe më të madh.
Një formë e re administrimi për të zgjidhur problemet e vjetra.
Si çdo shtet në zhvillim e sipër edhe vendi ynë ka sfida të pazgjidhura, duke filluar nga burokracia, ana rregullatore dhe tarifat, sistemi i drejtësisë, sistemi bankar dhe i sigurimeve, besueshmëria e institucioneve publike dhe private e deri tek valuta lokale. Jo ndonjë gjë e madhe, por nëse duhet të bëjmë diferencën me konkurentët duhet që keto çështje të jenë jashtë diskutimit në qytetin e lirë të Tiranës. Kjo kërkon një zgjidhje të re:
“Free City Tirana” mund të vetë-administrohet duke pasur tre palë garantuese. Pala e parë do jete Shteti që me patjetër duhet të vendosë kufijtë rregullatorë dhe fizikë. Pala e dytë dhe qendrore do jetë vetë ekosistemi i saj, i përbëre nga një sërë kompanish dhe organizatash qe duhet të vetë-administrojnë gjithë hapësirën. Këta do zgjedhin këshillin e qytetit dhe kryetarin e saj, që mund dhe në fakt do ishte mirë të ishte një i huaj, edhe për të evituar protagonizma lokale. Pala e tretë mund të jenë organizma nderkombëtarë, sidomos për sa i perket çështjeve të noterizimit, arbitrazhit e drejtësisë, apo rezidencës, të cilave u duhet lënë kompetenca të plota brenda kufijve të Tiranës së lirë.
Po gjithçka do mund të fillojë vetëm nga vendimi i Shtetit për të përcaktuar qartë dhe nxjerrë jashtë konflikteve te vjetra hapësirën e zonës së lire. Kush do të investojë do të ketë nevojë për prona të patundshme dhe do kërkojë siguri në investimet afatgjata. Do duhet të mendohet një dritare kohore e përshtatshme, e gjatë aq sa për ta gëzuar të qetë investimin. Kjo do të ishte në avantazh të të gjithëve.
Ne nuk duhet të shpikim rrotën, por ta bëjmë më të mirë.
Si arritën emirët ta shndrrojnë Dubain në një mrekulli? Në një brez rëre sot shtrihet një nga metropolet më tërheqëse për bizneset dhe turistët. Disa nga ne kanë qenë vetë atje, disa e kanë parë në Instagram gjithatë luks dhe madhështi. Epra, grataçelat, jahtet, superdyqanet janë aty në shërbim të mijëra kompanive që popullojnë qytetin plot shkëlqim. Dikush mund të thotë ishtë nafta, apo është turizmi. Në fakt nafta dhe hidrokarburet zënë vetëm 1% të GDP së Dubait, turizmi rreth 4–5%. Mbi 60% e GDP vjen nga tregtia, financa, manifaktura, transporti dhe ndërtimi. Ingredientët specialë për zhvillimin janë tregtia e financa. Paren e madhe e krijojnë qendra si Dubai International Financial Center (DIFC), ose si Abu Dhabi Global Market (ADGM) aty afër, i bërë më vonë dhe ndoshta më mirë.
Rrota është shpikur. Ekspertët që mund të na ndihmojnë janë ende në aktivitet dhe bashkë me ta ne mund të ripërsërisim historitë e suksesit të Dubait e Abu Dhabit, madje t’i bëjmë edhe më mirë: Me aksesin që kemi në Evropë, motin e mrekullueshëm, terrenin jashtëzakonisht të bukur — me det dhe mal — mund të krijojmë një “Qytet të Lirë të Tiranës” tërheqës për investuesit nga gjithë Bota. Ama për të bërë diferencën ashtu siç duhet kemi nevojë për njerëzit e përshtatshëm, për një skuadër që do ta ndryshonte lojën për një kohë të gjatë.
Teknoparqet janë një fillim i mbarë që mund të na çojë në një nivel tjetër.
Në momentin kur Shqipëria dhe vetë Bashkia Tiranë shpallën vizionin për krijimin e teknoparqeve loja u ngrit në një nivel tjetër dhe tashmë shohim gjithnjë e më shumë grupe të mëdha të interesuara për të investuar në Shqipëri. Kjo do t’i sjellë shumë vlerë Shqipërisë. Mbi këtë vizion mund të ndërtohet ende më shumë, më gjatë dhe në mënyrë më strategjike. Ne mund të krijojmë një hapësirë edhe më tërheqëse dhe përfshirëse. Ne mund të krijojmë diçka tjetër në vend të një Tirane të madhe të populluar nga teknoparqe të shpërndara, e jo-domosdoshmërisht të lidhura me njëra-tjetrën. Ne mund të themelojmë një qytet të lirë: “Free City Tirana”. Një qytet që do t’i jepte përgjigje kërkesës për liri të shumë njerëzve, profesionistëve e kompanive nga gjithë Bota.
Perspektiva 2030.
Tirana dhe gjithë zona e Shqipërisë së Mesme është pjesë e territoreve të Mesdheut me histori dhe kulturë që shtrihet në vazhdimësi së paku në 3000 vitet e fundit, mes Perëndimit dhe Lindjes. Ne sot mund të mos kemi avantazhet gjeostrategjike të Greqisë, Maqedonisë së Veriut, apo Serbisë, por sërish jemi në mes të një ndryshimi të madh. Nga njëra anë po i afrohemi Evropës dhe standardeve të saj. Kërkojmë të anëtarësohemi në BE. Nga ana tjetër na prekin dhe një valë ndryshimesh që po ndodhin në Lindje, Lindje të Mesme e Jug te Mesdheut. Duke filluar nga lëvizja e njerëzve, apo shkëmbimi i mallrave dhe shërbimeve.
Në nivel global, Revolucioni i Katërt, rritja e popullsisë dhe zhvendosja nga zonat rurale në hapësirat urbane do të ndikojnë gjithashtu në mënyrë kritike. Trendi i lëvizjes drejt qendrave të mëdha do të përforcohet. Shtetet që do kenë qytetet më të mëdha do të kenë dhe tërheqjen më të madhe.
Ne kemi një dritare kohore ku ende mund të provojmë zgjidhje jashtë kontureve. Shqipëria mund të hapë rrugën për krijimin e një qyteti të madh e të lirë në territorin e saj, duke filluar me disa hapa të vegjël. Hapësira fizike duket tërheqëse dhe e përshtatshme, pasi zona e Tiranës dhe gjithë Shqiperia e Mesme ka burimet natyrore, si dhe një kontinuitet urban dhe semiurban, qe mund ta shndrrojë këtë hapesirë në një “greater economic & technological area.” Një zonë metropolitane që në 2030 mund të arrijë 2 milionë banorë, duke u bërë në një destinacion dhe qendër e madhe ndërkombëtare biznesi. Nëse duam që ky vizion të bëhet realitet, ne duhet të shtojmë ingredientët specialë për të na “futur në hartë”.
Eja pra! Ta themelojmë këtë krijesë të re — “Free City Tirana”.

https://medium.com/@admirmalaj/the-free-city-of-tirana-freetirana-f17e12f7fca9

Latest articles

Related articles