Është arrestuar nga policia e Tiranës, Mendim Domi, njëri nga bosët e “Call-Centerave” që qëndronte i fshehur në kryeqytet, pasi kërkohej si person që kishte mashtruar mijëra qytetarë europianë.
Mendim Domi është pjesë e një grupi kriminal i denoncuar në media në muajin dhjetor 2022, ku së bashku me persona të tjerë kanë përfituar një shumë mbi 15 milionë euro përmes skemës së mashtrimit me call-centera.
Fillimisht Domi është zbuluar dhe më pas shpallur në kërkim nga prokurori i Tiranës, Bledar Valikaj. Më tej ky i fundit shpalli moskompetencën duke ia kaluar dosjen hetimore SPAK, dhe se aktualisht hetimet po drejtohen nga prokurori, Ened Nakuçi.
Kjo pasi emri i Mendim Domit, nuk ka dalë vetëm në dosjen hetimore të prokurorisë së Tiranës, por edhe në një çështje penale tjetër që është duke u ndjekur nga prokurori i posaçëm i SPAK, Ened Nakuçi.
Ndaj për shkak të dy hetimeve paralele, SPAK ka tërhequr aktet hetimore nga prokuroria e Tiranës, për pjesën e Mendim Domit dhe shtetasit tjetër të arrestuar Jusel Mici, bashkëpunëtor i Domit.
Në dosjen hetimore thuhet se Domi është pronar i kompanisë “Mone Advertising” e regjistruar në datën 3 shkurt 2022.
Ndërkohë ai zotëron dhe një zinxhir tjetër kompanish, si “Mendim Domi” në fushën e telefonisë, “Mendim Domi” në fushën e ndërtimit, “N.M-09” në fushën e tregtisë së mallrave ushqimore, të cilën Mendim Domi e ka blerë në 26 qershor 2021 për vetëm 1 milion lekë të vjetra nga shtetasi Kastriot Xhani.
Njëherësh në emër të Mendim Domit ndodhet dhe kompania “Super Foods” e themeluar në janar 2020, ku Domi, rezulton të ketë 40 për qind të aksioneve, Jusel Mici 20 për qind dhe Gerald Lamaj është zotërues i 40 për qind të aksioneve.
Ndërsa sipas prokurorisë, kompania “Vibemedia” që dikur ishte themluar nga Mendim Domi dhe Jusel Mici, është shitur në 29 gusht 2018 për 100 mijë lekë të vjetra tek shtetasi Italian, Maurizio Giacalone.
Jusel Miçi është një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Mendim Domit në veprimtarinë e mashtrimit me “call-centerat”.