Sekretari i grupit të Partisë Demokratike, Arbi Agalliu në një deklaratë për mediet ngriti shqetësimin për rishpërndarjen e fondeve të buxhetit të këtij viti, që sipas tij, nuk sigurojnë mbështetjen e shtresave në nevojë.
“Fatkeqësisht, pavarësisht rritjes së çmimeve, sidomos inflacionit të shportës ku pjesa madhore e qytetarëve shqiptarë konsumojnë, kemi një inflacion i cili jo vetëm nuk mbulohet nga qeveria në formën e subvencionimit apo mbështetjes së paketave sociale, por sikurse vihet re edhe në aktin normativ nuk ka qartësi apo nuk ka një shpërndarje për të mbështetur këto shtresa”, tha ai.
Agalliu theksoi se Akti Normativ për rishikimin e buxhetit të vitit 2023 ka parashikuar vetëm 1.3 % për ndihmë ekonomike dhe paaftësie, gjë që sipas tij, nuk mjafton për këto familje në nevojë, por nga ana tjetër është pothuajse e papërfillshme në raport me atë çka ky akt shpërndan.
“Nga ana tjetër kemi shpenzime operative të qeverisë 7.4 miliardë lekë. Pra, një rritje me rreth 17.4 %, ndërkohë që nuk kemi të evidentuar qartë dhe saktë se cilat do të jenë projektet që do të marrin fond dhe cilat do të jenë projektet që do të investohet me këtë shumë të rialokuar tashmë. Po kështu, është për t’u përmendur fakti i një sasie parash prej 0.22 miliardë lekësh, që quhet tarifë e pakushtëzuar për bashkitë. Por fatkeqësisht nëse shikon numrin e bashkive që marrin këtë shumë, rreth 24 bashki, do të evidentojmë se shuma përkatëse për çdo bashki nëse do të shpërndahen në mënyrë të barabartë është vetëm 0.009 miliardë lekë”, tha ai.
Sipas Agalliut, do të duhej që këto fonde të shkonin te bashki të veçanta, të cilat do të mund të mbyllnin problematikat e evidentuara në qytetet e tyre dhe jo të kishim një rishpërndarje me një shumë qesharake, çka nuk do të ndihmonte asnjë nga bashkitë.
Po ashtu, Agalliu e cilësoi si qesharak fondin prej 0.1 miliard lekësh për ish-të përndjekurit.
“Nëse vijohet me këto ritme, do të duhen së paku 3 dekada për të shlyer apo ezauruar të gjithë faturën financiare të kësaj kategorie të përvuajtur, një kategori e cila ishte kategoria më e përndjekur në sistemin komunist, një kategori e cila edhe pas viteve ’90-të, nuk gjeti mbështetjen e duhur, por vijon sot të mos marri vëmendje dhe një shifër qesharake prej 0.1 miliard lekësh e akorduar nga qeveria”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, shtoi Agalliu, është hequr mbështetja buxhetore për sektorin e energjisë në masën 12 miliardë lekë dhe kjo është kaluar tek fondi i rindërtimit.
“Do të duhej të sqaroheshin pse nuk kemi një përfundim të këtij procesi të rindërtimit, ku kanë shkuar paratë ku qeveria shqiptare ka lëvruar gjatë gjithë këtyre viteve pas tërmetit. Kemi po ashtu grante apo kredi të buta të dhëna nga partnerët tanë gjatë këtyre viteve. Por ajo që shikojmë është se vijohet ende të merret para për këtë sektor, ku pikëpyetjet se si përdoren këto para janë shumë të mëdha”, tha Agalliu.
Njëkohësisht Agalliu renditi disa sektorë të cilët kanë pësuar ulje të financimeve vjetore, ku përfshihen zhvillimi rural, furnizimi me ujë dhe kanalizime, strehimi, arsimi, kujdesi parësor, përkujdesi social dhe emergjencat civile.
“Ajo që PD sot ringre si shqetësim është rialokimi i duhur i fondeve dhe marrja e fondeve në mënyrën e duhur që Shqipëria të rifutet në një prodhim, që Shqipëria të ringjalli shpresën, që ekonomia të kalojë këtë cikël. Por fatkeqësisht kjo nuk ndodh, sepse paratë sikurse shihet shkojnë më së shumti në sektor të cilët ose janë klient të afërt të qeverisë siç është sektori i rindërtimit, ose për shpenzime luksi dhe shpenzime të tjera të programit të shërbimeve qeveritare”, deklaroi Agalliu.