Miliona mesazhe përmes Sky Ecc zbuluan rrjetin e mafies shqiptare, në Belgjikë

E marta e 6 Nëntorit do të shënjojë edhe nisjen e një prej gjyqeve më të mëdha të drogës të zhvilluara ndonjëherë në Belgjikë.

Gjyqi do të zhvillohet për një prej grupeve më të mëdha të drogës të zbuluara vetëm pas deshifrimit të Encrochat dhe Sky Ecc.

Në bankën e të akuzuarve do të jenë 129 të dyshuar, shumë prej tyre edhe shqiptarë, ndërsa 47 prej tyre ndodhen ende në paraburgim.

Në këtë seancë, e cila do të zhvillohet në masa të rrepta sigurie pritet të trajtohen çështje proceduriale dhe administrative.

Mediat belge shkruajnë se në këtë gjyq pritet të gjykohet edhe Abdelwahab G., i cili thuhet se qëndron pas vrasjes së shqiptarit Ardit (Arjan) Spahiu, në Molenbeek në vitin 2020, si dhe një inspektor nga zona e policisë së jugut të Brukselit. Spahiu është kunati i të penduarit të SPAK, Erion Alibej.

Më 26 tetor 2021, FGP e Brukselit arriti të çmontojë një organizatë kriminale që dyshohet se ishte aktive në trafikun e kokainës midis Amerikës së Jugut dhe Evropës. Organizata mendohej se ishte përgjegjëse për marrjen, nxjerrjen dhe ripaketimin e kokainës në laboratorët belg. Droga thuhet se transportohej nga Amerika e Jugut në Evropë në kontejnerë deti dhe avionë privatë dhe eksportohej nga Belgjika në disa vende evropiane.

Gjatë këtij operacioni, hetuesit bastisën 114 adresa dhe zbuluan gjashtë laboratorë ku kokaina e importuar në Belgjikë ripaketohej për shpërndarje në të gjithë Evropën. Disa depo klandestine kimike ishin të lidhura me këto laboratorë.

Policia sekuestroi gjithashtu tonelata produkte dhe materiale të dyshuara si të ngopura me kokainë, një duzinë armë zjarri, 57 automjete, 300 metër kub duhan dhe 1 milion euro cash.

Gjithsej në gjykatën penale janë referuar 129 persona. Shumë nga të dyshuarit janë shqiptarë; disa janë kolumbianë.

Kujtojmë se, në fillim të vitit 2021, policia gjyqësore federale goditi softuerin e enkriptimit të SKY EÇ, një shërbim bisede që funksiononte vetëm në telefonat inteligjentë të konfiguruar posaçërisht. Me informacionin që mund të nxirrej nga mesazhet e bisedave të deshifruara, u nisën dhe përfunduan disa hetime të tjera gjyqësore.

Latest articles

Related articles