Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka vijuar turin e tij të takimeve me qytetarët, duke u ndalur sot me banorët e Njësisë 12 në Tiranë.
Kafenë e mëngjesit, kryetari i PD, e ndau me banorët të zonës së Kopshtit Zoologjik, me të cilët foli për situatën e vështirë social ekonomike që po largon rininë nga Shqipëria e po rëndon familjen shqiptare.
“Qeveria nuk ka shqetësim hallet dhe problemet e qytetarëve, të rinjve që po ikin çdo ditë nga Shqipëria në kërkim të një jetë më të mirë, por ka shqetësim legalizimin e vjedhjes përmes inceneratorëve, check up, apo tenderave dhe koncesioneve korruptive”, – tha Basha.
Kreu i PD ndau me qytetarët edhe zgjidhjet që ofron PD për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë që nis me pastrimin e politikës
“Shqipëria ka nevojë për zgjidhje dhe kjo sipas Partisë Demokratike vjen me pastrimin e politikës, ndarjes me krimin dhe largimit nga sistemi të politikanëve të korruptuar. Kjo është plotësisht e mundur përmes vetting-ut në politikë”, – u shpreh kryetari i PD.




