Av. Besart Logu
Dihet tashmë se Partia Demokratike ka hyrë në fazë riorganizimi. Pas mbylljes së procesit për zgjedhjen e organeve qëndrore, me Vendim të Kryesisë dhe Urdhër të Kreut të PDSH, ka nisur zgjedhja e strukturave drejtuese në rang dege.
Ndryshe nga herët tjera, zgjedhjet e brëndshme nuk janë konceptuar dhe nuk po zhvillohen si një proces formal organizativ. Zgjedhja e kandidaturave po bëhet jo vetëm nëpërmjet një procesi të hapur dhe demokratik por edhe mbi disa principe të cilat i imponojnë ndryshimet statutore si dhe zhvillimet e fundit politike.
Në kuadër të kësaj fryme dhe parimesh të përgjithshme funksionimi, vlenë të sillen disa aspekte nga organizimi dhe zgjedhja e deritanishme e krerëve të njësivë në PD Dega 7 Tiranë.
Fillimisht, si grup pune, kemi vendosur një synim, ku kam bindjen se do e arrijmë, që të kemi një strukturë drejtuese me moshë mesatare që varion nga 35 – 40 vjeç. Për faktin e vetëm sepse është grupmosha më energjike dhe që i jep ritëm jo vetëm organizatës politike por shoqërisë në përgjithësi.
Krerët e njësive, të zgjedhur tashmë më shumë se gjysma e tyre, janë demokratë në bindje, njerëz të lirë dhe pa ngarkesa me të shkuarën. Nuk kanë lidhje me Partinë e Punës, ish Sigurimin e Shtetit, SHIK-un e Gazidedes apo struktura tjera që kanë mbajtur nën terror shqiptarët. Kryesisht janë profesionistë të lirë dhe sipërmarrës, jo ish drejtorë që u kanë futur duart në xhepa qytetarëve. Kanë integritet dhe gëzojnë respekt sepse janë të pakonsumuar në zonat ku banojnë. Të vetëdijshëm për përgjegjësinë e detyrës së marrë, ofrojnë disponibilitet dhe mobilitet maksimal, në çdo kohë e rrethanë. Të paktën zgjedhjet për kreun e PD dhe Kuvendi i 2 shtatorit e provojnë më së miri këtë gjë ku PD Dega 7 Tiranë nuk pësoi rënie të aktivitetit partiak edhe pse u ekspozua nga zhvillime të brëndshme të papritura. Ajo që vlenë të theksohet është efekti i krijuar deri më tani; impulset e reja jo vetëm janë mirëpritur nga “të vjetrit” por po shërbejnë si stimuj për modele tjera të ngjashme.
Këto janë vetëm disa aspekte rreth PD të së ardhmes. Të asaj që ka mbyllur fazën e tranzicionit dhe po hap një kapitull të ri, fillimisht rreth rradhëve të saj për tu shtrirë më pas në të gjithë klasën politike.
Partia Demokratike e ka nevojë imediate që ti ofrohet shqiptarëve si një alternativë që bën dallimin me alternativat apo aktorët tjerë në tregun politik. Nëse nuk e bën jo vetëm rrezikon ekzistencën e saj por dhe të pluralizmit në vend. Në kushtet kur partia në pushtet dhe segmente të caktuara në opozitë kanë llogari të hapura me drejtësinë për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit, për PD është detyrë kombëtare që të dalë në lartësinë e një partie perëndimore dhe që përcjell siguri, garanci dhe prosperitet. Populli thotë “siç niset do bidiset” dhe gjasat janë se ditë më të mira e presin PD, demokratët, Shqipërinë dhe shqiptarët.