Myzafer Elezi, Zëvendëskryetar i Këshillit Bashkiak përmes një komunikimi publik vë në dukje se aksi rrugor Bestrovë-Kërkovë-Bunavi, i lënë në harresë nga pushteti lokal dhe qendror.
“Duke shkuar në fshatrat Bestrovë dhe Kërkovë, fshatra këto të cilat rrethojnë qytetin e Vlorës, kam parë nga afër një situatë alarmante infrastrukturore. Rruga për të shkuar në fshatrat Bestrovë, Kërkovë dhe Bunavi është tejet e amortizuar, pa kanalizime, e pashtruar, e paasfaltuar, pothuajse e pakalueshme me automjetet e zakonshme. Vetëm me automjete të rënda mund të udhëtohet në atë aks rrugor.
Në takimet e zhvilluara me banorët e fshatrave Bestrovë dhe Kërkovë, shqetësimi i tyre kryesor, të cilën e bënë prezentë, është dhe mbetet amortizimi i tejskajshëm rrugës.
Duke vlerësuar shqetësimin e banorëve të këtyre fshatrave, lidhur me gjendjen e mjerueshme të aksit rrugorë Bestrovë-Kërkovë-Bunavi, e cila çdo ditë e më tepër po bëhet vështirësisht e kalueshme me automjete, për shkak të dëmtimeve të theksuara, i kam drejtuar një shkresë zyrtare kryetarit të Bashkisë Vlorë, në të cilën kërkoj angazhimin e Bashkisë për marrjen e masave imediate për rikonstruksionin e këtij aksi rrugor.
Theksoj se, ky segment rrugor është shumë i rëndësishëm për banorët e fshatrave të sipërcituar dhe fshatrat fqinjë, pasi është aksi kryesor i komunikimit dhe qarkullimit të automjeteve dhe banorëve të fshatrave Kërkovë, Bestrovë, Bestrovë e Vogël, Reparti Ushtarak i Bunavisë, fshatrat Bunavi dhe Llakatund.
Sqarojmë se, ky aks rrugor lidh dy njësi administrative, përkatësisht Njësinë Administrative Qendër me Njësinë Administrative Shushivë me njëra-tjetrën dhe me qytetin e Vlorës.
Në dijeninë time, për rikonstruksionin, shtrimin dhe asfaltimin e këtij aksi rrugor është bërë një projekt nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit para disa vitesh, dhe nga ARRSH janë bërë matje në terren, por ende nuk është bërë asnjë investim konkret. Pra, projekti është, por duhet angazhim për ta zbatuar.
Gjendja e rrugës po përkeqësohet çdo ditë. Ky një problem i madh për zonën, i cili ka mbetur pa zgjidhje prej më shumë se 20 vjetësh. Për fat të keq të banorëve, në çdo fushatë është premtuar shtrimi dhe asfaltimi i rrugës, por ky premtim është harruar.
Sa sipër, për interes publik të banorëve të disa fshatrave, i bëj thirrje administratës së Bashkisë Vlorë, por edhe institucionit të Prefektit të Qarkut që të merren masa urgjente për rikonstruksonit e rrugës me të gjitha parametrat që ajo meriton, sepse tashmë kjo problematikë është tepër shqetësuese dhe jetike për banorët e këtyre fshatrave. Fotot flasin vetë.
Mbetemi në pritje të zgjidhjes së këtij problemi me interes publik.
Këshilltarët e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak janë të shqetësuar për situatën infrastrukturore në territorin e bashkisë, dhe do të monitorijnë procesin për rikonstruksionin, shtrimin dhe asfaltimin e këtij aksi rrugor.
Fshatarët nuk mund të përdoren vetëm si “hambërë” votash në fushatat zgjedhore. Ata meritojnë respekt dhe kushte normale infrastrukturore dhe jetese.
Partia Demokratike është dhe do të jetë gjithmonë më pranë qytetarëve.
Ju faleminderit”.