Poland is back! “The Civic Platform Coalition” si model për të djathtën në Shqipëri

Nga Alban Avdulla

Në 15 Tetor 2023, populli polak votoi masivisht koalicionin opozitar. Një ditë më pas Manfred Weber, kryetari i EPP (European People’s Party), partisë europiane të qendrës së djathtë, përshëndeti me shprehjen “Poland is Back” rezultatin e zgjedhjeve në Poloni. Në një intervistë për “France 24”, z. Weber deklaroi se forcat politike të qendrës së djathtë janë duke rifituar terren politk në shtetë të ndryshme të Bashkimit Europian dhe kjo do të reflektohet edhe në zgjedhjet e Parlamentit Europian në 2024.

Njësoj, SUZANNE LYNCH, shkruan për POLITICO, në 30 Qershor 2023 se pas Italisë, Finlandës, Greqisë ku partitë e të djathtës kanë marrë drejtimin, pritet të ndodh e njëjta gjë në Spanjë dhe Slovaki. Në të njëjtën ditë, The Guardian, ka publikuar grafikun e përqindjes së votave që zënë partitë politike në parlamentet e vendeve europiane. Ky grafik tregon qartësisht rritjen e suportit kundrejt partive të djathta. Ndërkohë, Geopolitical Intelligence Services, në artikullin e datës 23 Gusht 2023, thekson se vetëm 5 nga 27 vende të Bashkimit Europian janë duke u drejtuar nga qeveri të polit të majt, të cilat janë Portugalia, Sllovenia, Malta, Danimarka dhe Gjermania.

Si është zhvilluar ky trend në vendet e Unionit Europian? Si arritën forcat e djathta të mundin të majtën? A mjafton lodhja e akumuluar nga një qeveri autoritare për të kryer rotacionin politik? A mund të jenë këto modelet e duhura për të rifituar besimin e votuesit nga e djathta opozitare në Shqipëri?

  1. Si mund të reflektohet ky trend edhe në Shqipëri?

Aktualisht opozita shqiptare, kryesisht forcat e polit të djathtë, janë përfshirë në konflikte të brendshme të cilat kanë reduktuar suportin e votuesve. Antarët e saj janë të lodhur nga: 1. qeveria, e cila dita ditës rezulton e përfshirë në skandale korruptive (psh, afera e inceneratorëve, sterilizimit etj); 2. drejtimi nepotik dhe autoritar i saj; 3. konflikti brenda familjes politike.  Si rrjedhojë, rreth 650,000 votuesit e saj gati nuk marrin pjesë në aktivitetet politike, ndërkohë pjesa e heshtur, e përbërë nga më tepër se 400.000 votues, nuk paraqiten në kutitë e votimit.

Kjo përforcohet edhe nga fakti që vetëm 13.5% e votuesve për herë të parë morën pjesë në zgjedhjet lokale të 2023, ndërsa 87% nuk morën pjesë në votime. Ndërkohë diferenca midis të djathtës dhe të majtës ishte më e vogël se aq. Cili është shkaku pse 87 % e të rinjve nuk marrin pjesë në votime? Cfarë duhet të bëjë e djathta për të fituar suportin e tyre? Cili duhet të jetë fokusi i programit politik për të adresuar çështjet me rëndësi të këtij grupi votuesish? A mund të rifitohet ky besim kur EPP nuk e kthen ende kokën nga Shqipëria?  

Pavarësisht, vështirësive që ka hasur e djathta shqiptare, mundësitë e ringritjes në prag të zgjedhjeve qëndrore në 2025, ose në 2024 në rastin e zgjedhjeve të parakohshme duhet të rikonsiderohen me urgjencë. Këtu duhet konsideruar si faktori i jashtëm (bashkëpunimi aktiv me forcat e qëndrës se djathtë europiane) ashtu edhe faktori i brendshëm. Ndërkohë që faktori i jashtëm, me gjasa, nuk do të bashkëpunojë me ato forca politike që janë pozicionuar kundër aleatëve perëndimor, Partia Demokratike e drejtuar nga z. Lulzim Basha duhet ta konsiderojë këtë bashkëpunimin me të djathtën europiane si një element kyç i rivitalizimit të saj dhe transformimit në një alternativë qeverisëse.

Në thelb të partive europiane të qendrës së djathtë qendrojnë, si celës suksesi, ndjenjat pro-europiane dhe shteti i së drejtës (Rule of Law) – theksoi Z. Manfred Weber këtë javë në Parlamentin Europian. European People’s Party (EPP) mund të luaj një rol tepër të rëndësishëm, për të ndihmuar partitë e qendrës së djathtë në përgatitjen e një programi cilësor politik.  Tezat politike të z. Lulzim Basha shkojnë pikërisht në këtë drejtim. Këto teza janë: 1. Listat e hapura; 2. Vetingu i politikanëve; 3. Kufizimi i mandateve të Kryeministrit; dhe 4. Vota e emigrantëve.

Koordinimi i të djathtës europiane me polin e të djathës Shqiptare nuk duhet të jetë vetëm e natyrshme dhe logjike, por mund të jetë domosdoshmëri. Vihet re se qeverisjet e partive të majta, kanë krijuar terren të favorshëm për themelimin dhe ringritjen e forcave të ekstremit të majtë. Kjo shihet edhe në terrenin politik Shqiptar. Për të ofruar një alternativë e cila do të garantonte stabilitet, si në vendet e Unionit ashtu edhe në shtete si Shqipëria, EPP mund të duhet të marrë një rol më aktiv dhe bashkëpunues me partitë e qendrës së djathtë.

Ndërkohë, përsa i përket faktorit të brendshëm, shëmbulli Polak na vjen në ndihmë. Pas 8 vitesh në pushtet, qeveria polake nuk ka arritur të siguroi shumicën e votave për të drejtuar vendin për një mandat të tretë. Opozita e bashkuar në koalicionin e quajtur “The Civic Platform Coalition”, me në krye Z. Donald Tusk, kanë fituar shumicën e votave për të formuar qeverinë e re në krye të Polonisë.

Rasti polak ofron disa mësime. Së pari, fitorja mbi një qeveri autoritare kërkon bashkëpunimin e të gjitha ose shumicës së forcave opozitare. Së dyti, ringritja e linjes pro-europiane është kyç për të hapur rrugën e investimeve dhe fondeve europiane. Së treti, pavarësisht faktorëve të jashtëm, vendi ka nevojë për politika të mira ekonomike të cilat mund të mbajnë nënkontroll inflacionin dhe të synojnë zhvillim të mëtejshëm ekonomik duke u mbështetur nga beteja pa kompromis ndaj korrupsionit.

Sigurisht, bashkimi nën një koalicion, i të gjitha grupimeve opozitare mund të jetë ideale, por ndoshta i vështirë për t’u realizuar. Në vendet Europiane është hasur koncepti “Cordon Sanitaire”, i përdorur nga partitë politike për të treguar se edhe në rastin e krijimit të koalicionit, partitë do të jenë të hapura të bashkëpunojnë me forca të cilat mbrojnë vlera dhe parime të ngjashme. Si rrjedhojë, opozita e djathë duhet të vlerësojë se cilat janë grupimet politike që ndajnë vlera të ngjashme me të, nëse një koalicion i mundshëm nuk do të shtrihet përtej tyre. 

Latest articles

Related articles