Spanjë, socialistët dhe radikalët e majtë bëjnë marrëveshje për qeverinë

Partia Socialiste dhe partia e majtë radikale, Sumar, arritën të martën (24 tetor) një marrëveshje për të formuar një koalicion qeverisës për Spanjën.

Kryeministri Pedro Sançez (o. Sanchez) u takua një ditë më parë me kryetaren e Sumarit dhe ministren në detyrë të Punës, Jolanda Diaz (o. Yolanda).

Sançezit i duhet mbështetja e 33 deputetëve të Sumarit në dhomën e ulët të parlamentit, sikundër edhe nga partitë e tjera katalane dhe baske, në mënyrë që të sigurojë një tjetër mandat si kryeministër.

“Kjo marrëveshje për katër vitet e ardhshme do e lejojë vendin tonë të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe me punësim cilësor, duke ndjekur politika që respektojnë drejtësinë sociale dhe klimatike, ndërkohë që do të njohim më shumë të drejta, forcën feministe dhe liri,” thanë dy partitë në një deklaratë të përbashkët.

Marrëveshja PS-Sumar parashikon edhe propozimin për të ulur orët e punës pa ndryshuar shpërblimin.

Kryeministrit Sançez i duhet edhe mbështetja e partive që lobojnë për pavarësinë e Katalonjës, përndryshe ai nuk do të kishte numrat për të qeverisur dhe do e çonte vendin në zgjedhje të reja në muajin janar.

Koalicioni aktual nuk arriti të fitojë shumicën absolute në zgjedhjet e 23 korrikut.

Latest articles

Related articles