Luga boshe e Bashkimit Evropian dhe nevoja e një Bashkimi Kombëtar

nga Sebastian Zonja

Rumania është pjesë e Bashkimit Evropian që nga 1 janari i vitit 2007. Të qenit pjesë e BE-së nuk e ka ndaluar rininë që të largohet ndërsa korrupsioni mbetet në kuota shumë të larta. Në kufi ka një çështje të pazgjidhur me Moldavinë që rikthehet shpeshherë në debatin publik, ndërsa vetë Moldavia ka konlikt të ngrirë me Transnistrian që kontrollohet nga Kremlini.
Pak a shumë, nëse do e bënim më të kuptueshme, rumunët dhe moldavët kanë tendencë bashkimi kombëtar siç mund ta kenë shqiptarët apo serbët në Ballkan, por në mes janë futur rusët. Këtu kanë Republikën Srpska në Bosnjë, atje kanë Transnistrian e Moldavisë.
E gjithë kjo çorbë nuk është zgjidhur edhe pse Rumania është në NATO dhe në BE. Ajo vijon të ketë probleme të rënda korrupsioni dhe ndikimi rus me anë të fijeve të korrupsionit është i madh.
Së fundmi, një raport i Bankës Botërore tregon se Rumania ka humbur jo më pak se 20% të fuqisë punëtore për shkak të emigrimit në 10-15 vitet e fundit. Raporti i Bankës Botërore, i quajtur “Diagnostikimi sistematik i vendit”, tregon se popullsia aktive në moshë pune po tkurret shumë, kryesisht për shkak të emigrimit dhe pjesëmarrjes së ulët të tyre në tregun e punës, gjë që redukton ofertën e punës dhe rrjedhimisht rritjen e mundshme ekonomike.
Me pak fjalë, biznesmenët rumunë kanë kapur ekonominë prej fyti dhe s’ka vende të reja pune apo paga të kënaqshme, ndaj të rinjtë e të rejat largohen.
Raporti vijon se Rumania ka rënie dhe plakje drastike të popullsisë dhe fuqisë punëtore, kryesisht për shkak të emigrimit. Popullsia e vendit ra nga 22.8 milionë në 19.1 milionë për periudhën 2000-2021 dhe pritet të bjerë në 17.8 milionë deri në vitin 2030, sipas Bankës Botërore.
10-15 vitet e fundit, më shumë se 2 milionë rumunë kanë emigruar, që përfaqësojnë pothuajse 20% të fuqisë punëtore. Kjo ka sjellë mungesë akute të fuqisë punëtore në role kyçe (për shembull është dhënë alarmi i kuq për mjekë dhe infermierë).
Raporti tregon gjithashtu se rumunët që emigrojnë janë të rinjtë dhe me një nivel arsimor më të lartë se popullsia e mbetur në vend.
Të njëjtat probleme i kemi në Shqipëri për shkak të keqqeverisjes dhe këto probleme nuk do t’i zgjidh me shkop magjik Bashkimi Evropian. Duhet menduar sot për t’i dal përpara këtyre problemeve që sa do të vijnë dhe do të bëhen edhe më të mëdha.
Është për të ardhur keq që asnjëra prej partive politike nuk flet për Bashkim Kombëtar dhe nuk artikulon mënyrat e zgjidhjes së këtyre problemeve akute ndërsa lajtmotiv ka shprehjen bajate se e di Evropa, njëjtë si një herë e një kohë e dinte shoku Stalin apo Mao.

Latest articles

Related articles