Përplasja e gjeneratave të luftës…në Gaza

Kristaq Xharo*

Mësymja terroriste e Hamas dhe reagimi i Izraelit kanë eklipsuar çështjet e tjera të sigurisë globale, përfshirë Ukrainën, por edhe simulatorin e Hamasit në Banjskë. Veç numrit jashtëzakonisht të lartë të viktimave, civilë: gra dhe fëmijëve, por edhe një pamje ndryshe e luftës me forca, teknikë dhe strategji, ku vështirë për të depërtuar në përcaktimin e fituesit dhe humbësit… Në Jug të Izraelit tashmë është krijuar një front përballë një vije pa front, një ushtri të armatosur deri në dhëmbë përballë militantëve pa uniformë, të mpleksur me popullatën civile një shteti me strategji, doktrinë e taktika, me objektiva dhe fuqi ushtarake përballë një organizate, aktor pa ndjeshmëri dhe përgjegjësi shtetërore. Është një situatë ku me të drejtë, diplomacia dhe fuqitë e mëdha bëjnë presion mbi një shtet për përmbajtje dhe ulje në bisedime, ndërkohë që pala tjetër nuk shfaqet dhe nuk afrohet në tavolinë negociatash. Duket se më shumë se veprime ngrihen dilema.

Situata e krijuar, por dhe në vazhdim, gjithçka që afron është një model i ri lufte, ndryshe nga çfarë kemi mësuar e janë përgatitur më parë shtetet, por tashmë aktorë të tjerë sfidojnë ligjet dhe parimet e luftës. Oficeri i marinës, Wiliam Lind, por edhe një numër studiuesish e përkufizojnë këtë pamje si trokitje e Gjeneratës së Katërt të Luftës (G4), ku aktorët jo shtetërorë rikthehen në skenë dhe tentojnë të rifitojnë atë që kishin humbur para Traktatit të Vestfalisë 1648, monopolin e luftës. Pas një pritje 400 vjeçare ato po hyjnë pa rregulla aty ku mendohej se luhej me ligje dhe me norma. A mos vallë gjenerata e tretë e luftës, lindur në Luftën e Dytë Botërore, mbijetuar në Luftën e Ftohtë, tashmë ndjehet e plakur…
Lufta e gjeneratave. Po çfarë janë gjeneratat e luftës? – Gjeneratat i referohen pamjes së luftës dhe lidhen me paradigma në periudha të caktuara historike. Këto periudha në vartësi të aktorëve dhe faktorëve: forcave që angazhohen, strategjive dhe teknologjive mund të zgjasin nga disa qindra vjet në dekada e vite. Paradigmat e ndryshimit përcaktojnë edhe limitet e shtrirjes së tyre. Sipas studiuesve të strategjisë, por edhe historianëve , luftërat kanë kaluar në tre gjenerata të mëdha, më së paku, që prej periudhës së hyrjes së armëve të zjarrit.
Gjenerata e parë (G-1), që nis më herët duket se u demonstrua në kulmin e vet diku te luftërat napoleonike, ndaj edhe francezët konsiderohen si themeluesit e kësaj gjenerate. G1 reflektonte lëvizjet masive të forcave, në formacionet e vijave dhe kolonave dhe lufta ishte vetëm monopol i shtetit. Zgjedhja e fushë-betejës për përplasje, kryesisht midis formacioneve ushtarake, karakterizonin G1, por pa arritur të shmangnin popullatën civile nga pasojat e luftës.
Gjenerata e dytë (G2) u shfaq si manifest dallues në Luftën e Parë Botërore (1914-1918) e lindi si refleks për të shmangur pasojat katastrofike mbi popullatën civile. G2 demonstronte mobilizimin e gjithë resurseve të shtetit dhe në fushëbetejë bazohej në dominimin e fuqisë së zjarrit. Edhe pse trumbetohej si një luftë që do ti jepte fund të gjitha luftërave, një luftë ‘me rregulla’ e pjesëmarrje vetëm të formacioneve nën uniformë, me mbi 20 milionë të vrarë, ajo jo vetëm që nuk i shmangu viktimat civile, por ata ishin mbi 60 përqind e totalit të të vrarëve në luftë. Ashtu si G1 edhe G2 njeh si nismëtar francezët.
Fillimi i Gjeneratës së tretë (G3) i takon Luftës së Dytë Botërore dhe njihet kryesisht si produkt i teoricienëve ushtarak gjermanë, njohur me termin e “Blitzkrieg” apo edhe “luftës manovër”. G3 është një shmangie totale prej konceptit të luftës lineare. E veçantë nga G1 dhe G2, kjo gjeneratë (G3) e zgjeroi kontekstin e vet përtej ballafaqimit të armatosur ku dukshëm pranohej edhe përplasja ideologjish, shpesh si burim frymëzimi për të dërrmuar dhe fundosur kundërshtarin. Si shtrirje kohore, G3 tejkalon kufijtë e Luftës së Dytë Botërore e më pas edhe Luftën e Ftohtë dhe vazhdon të jetë tipari kryesor edhe në periudhën aktuale, për aktorët shtete. Aktualisht mendohet e besohet se jemi në periudhën e ndryshimit të gjeneratave dhe kjo jo vetëm për kohën e gjatë, por edhe në ndryshime dramatike gjatë kësaj periudhe. A është koha që po vjen gjenerata e katërt (G4)?
Karakteristikat e G4 janë thelbësisht të ndryshme nga ato të gjeneratave të tjera të luftës. G4 është një luftë idesh, besimesh dhe emocionesh; është një luftë ku dominojnë aktorët jo-shtetërorë. Në një mjedis të G4, shteti ka humbur monopolin e tij të luftës dhe rritur besnikërinë e njerëzve ndaj entiteteve jo-shtetërore. Lojtarët kryesorë në G4 janë asimetrikë, që nuk dëshirojnë domosdoshmërisht të kontrollojnë territore të gjera dhe nuk tentojnë të përcaktojnë vijë fronti dhe thellësi. Sipas W. Lind, autor i termit të G4, në këtë gjeneratë humbet dallimi midis luftëtarëve dhe jo luftëtarëve dhe të gjithë, ushtri apo civilë, burra, gra, por edhe fëmijë, që nuk bashkohen me idetë e G4 janë objektiv armik. Sapo krijohet një mjedis për G4 me sfond etnik, fetar ose ideologjik, çdo simbol i kundërshtarit është objektiv për tu goditur.

Është me interes të kuptohet se ndërsa G4 është sot në lojë me peshën e një aktori jo shtetërorë, vetë shtetet ende ndodhen në konturet e gjeneratës së tretë, në parimet e luftërave klasike konvencionale me një tërësi parimesh të ngurta në strategji, doktrinë e taktikë në rregulla e ligje të luftës. G4 shfrytëzon ‘lirinë’ e pakufizuar për të njohur apo për t’ju bindur ndonjërit prej elementëve të mësipërm dhe godet kudo ku krijon hapësirën e nevojshme. Grupet terroriste, formacionet paramilitare, forcat e armatosura të kontraktuara, e organizata ekstreme radikale janë vetëm disa nga aktorët e G4. Lufta asimetrike, hibride, pa rregulla, pa fronte, pa dallime midis uniformës dhe civilëve demonstrojnë në mënyrë të dukshme këtë ekzistencë.

Një model i përplasjes së gjeneratave ndjehet se tashmë po demonstrohet në Izrael. Nuk janë vetëm aktorët në lojë, por edhe mënyra se si luftojnë, strategjitë dhe objektivat, apo ato që do të fusnin në dilemë edhe Klausevitzin: pikat e gravitetit dhe trinitetin e luftës. Dukshëm dallohet që Hamasi ‘luan’ me hapësirat që krijon G4, pa rregulla, pa uniforma, pa objektiva të mirëfilltë ushtarakë dhe me kundërshtarë këdo që nuk i bindet bindjeve, ideologjisë së tyre.

Ndërkohë, jemi në fazën që Izraeli ka shpallur luftë po jo ndaj një shteti tjetër, por një organizate që nuk njeh asnjë ligj apo parim të luftës. Izraeli ka rreshtuar forcat në front: tokësor, detar, ajror. Ai vazhdon bombardimet, goditjen me artileri që nga baza e nisjes, por ndërkohë armiku po luan në një fazë tjetër duke u pleksur me popullatën civile, pa ndjerë përgjegjësi që po i kthen ata në një objekt të goditshëm.

Me të drejtë, e gjithë diplomacia, organizatat ndërkombëtare, fuqitë e mëdha, bile edhe media tashmë i kapërcyen plagët e Izraelit dhe gjithë vëmendjen dhe presionin e kanë drejtuar në Gaza duke i kërkuar Izraelit që të respektojë ligjet e luftës, ligjet ndërkombëtare, të veprojë si shtet me përgjegjësi të plota edhe pse i plagosur rëndë edhe pse nuk ka asnjë garanci se Hamasi nuk do të rikthehet përsëri në mjegullën e luftës së G4, dhe nuk do të përsërisë të njëjtat veprime terroriste.

Në Jug të Izraelit në Gaza realisht dhe virtualisht po përplasen dy gjenerata: G3 dhe G4. Nuk ka balancë fuqie, por dilema sigurie. Nuk ka luftë në front sepse fronti nuk ekziston, nuk ka objekte të mirëfillta ushtarake, nuk ka ndarje të civilëve nga terroristët e aq më pak në këto kushte edhe ndërgjegjësim. Edhe pse të dy palët në fund të luftës/operacionit do të deklarojnë fitoren,(kjo është ideja e gjeneratave) përsëri mbetet shumë e vështirë të përcaktohet fituesi. Qartë aty do të ketë vetëm viktima që kryesisht e fatkeqësisht janë më të pafajshmit, civilët, gratë e fëmijët. Vështirë se do të ketë edhe tavolinë negociatash, sepse ata që luajnë në hapësirën e G4-Hamasi, apo si-vëllezërit e vet nuk e kanë në doktrinën e tyre, ndaj lufta vështirë se ka një fund të afërt…

Kristaq Xharo* : Lektor për Çështjet e Sigurisë në Universitetin Europian të Tiranës

Latest articles

Related articles