Ballo me maska në errësirën e parlamentit

nga Edlira Devolli

Parlamenti dha edhe dje shfaqjen e radhës, të padobishme, të shëmtuar, në shërbim të klaneve të korruptuara të politikës.
Ka kaluar një çerek shekulli, që prej viteve të fundit të shkollës së mesme, qëkurse i ndjek zhvillimet politike, nxitur nga origjina familjare antikomuniste si dhe nga dëshira për tu angazhuar.
Gjithmonë këto inskenime në sallën e seancave parlamentare përveçse më kanë ngjallur neveri, njëherësh edhe më kanë bindur se këto skena dhune e errësire nuk janë asgjë tjetër përveçse ballo me maska politikanësh të korruptuar.

Kurrë nuk zihen e nuk debatojnë për thelbin e ligjeve, për vendimet në favor të vendit e të qytetarëve, për principet e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut të lirë. Përkundrazi ndërtojnë skena e skenare të tilla, për ti fshehur publikut devijimin e standardeve të demokracisë funksionale. Gjithmonë do zihen jo për thelbin e funksionit ligjvënës, do zihen ose për proçedurat rutinë parlamentare, e ke ti apo e kam unë, ose kacafyten për kërkesat e pa bazuara në ligjet e veprimtarisë kuvendore, në rregulloren parlamentare dhe në gërmën e frymën e Kushtetutës. Që të gjitha “jo për ne por për qytetarët”, janë “beteja” sharlatane në mbrojtje të copave që kanë zaptuar, apo të copave që ua kanë vënë syrin. Gjoja u paskan zënë për komisionet hetimore.

Kush di të na thotë, cilit politikan e pushtetar të korruptuar i ka hyrë gjemb në këmbë nga hetimi parlamentar? E kundërta ka ndodhur. Komisionet hetimore kanë qenë thjesht presione politike të një pale mbi palën tjetër, po kurrë jo instrumenta që t`i kenë shërbyer ndëshkueshmërisë të abuzimeve me pasuritë dhe financat publike. Berisha me foltoristët kot përpiqen të na bindin për të kundërtën. I kemi me dhjetra shembujt që kontrolli parlamentar vetëm i ka rritur në karrierë të gjoja hetuarit me të tilla komisione.

Po ju listoj dy-tre shembuj më poshtë.
Mbaj mend se një komision parlamentar dikur hetoi Arben Ahmetajn për vjedhje milionash tek Telekomi i shtetit, me kompaninë e tij telefonike. Jo vetëm nuk u dënua, po na u bë disa herë ministër e deri zëvendësi i kryeministrit Edvin. U desh SPAK, ky institucion “produkt” Amerikan të ja “kërciste” prangat.

Vetë Edvini u hetua për abuzimet në bashkinë e Tiranës me komisionin Olldashi. Jo vetëm nuk u gërvisht për asgjë, përkundrazi na u bë tre herë kryeministër.

Ilir Meta me ndihmën e Ndre Legisit theu vazo e tavolina, desh e kapën për “zverku” kryeparlamentaren, në një nga këto sherret e turpshme parlamentare. Njërin e flakën si lëvozhgë limoni, ndërsa Metaj pasi u bë ministër e zëvendës kryeministër i doktor non gratës, kapi Presidencën nën pushtetin e Edvinit.

Si përfundim ka edhe një arsyetim ligjor, kushtetues dhe politik për këto lloj hetimesh. Kur çështjen e ka marrë drejtësia, ç`do ndërhyrje tjetër ndalon. Kur drejtësia flet të gjithë duhet të heshtin. Nuk ka koment mbi vendimet e drejtësisë.

Mbështesni SPAK-un më parë se sa të bëni skena të tilla dhe luftë për komisione pa bereqet.
Në këto tre dekada SPAK ka dhënë shembuj konkret. Të tjerët, nga të gjitha anët e politikës kanë qenë e janë mburoja të krimit, të trafiqeve, vjedhjes së pasurive tona të përbashkëta. Kush i frikësohet prangave të SPAK mos të na bëjë të vjellim me inskenime delirante në Parlament.

Latest articles

Related articles