Martti Ahtisaari, një finlandez me zemër të mirë

Viti 2008 ishte viti me gjasë më i paharrueshëm në karrierën e gjatë, të bujshme, interesante të Martti Ahtisaarit. Më 17 shkurt Parlamenti i Kosovës e shpalli pavarësinë, bazuar në planin e përpiluar nga Ahtisaari dhe ekipi i tij. Më 10 tetor 2008 Komiteti i Nobelit në Oslo e nderoi Martti Ahtisaarin me çmimin Nobel për Paqe. “Jam i kënaqur dhe i gëzuar” – këto qenë fjalët me të cilat ai e priti lajmi nga Norvegjia. Tipik europian verior – me fjalë të matura e të mirëmenduara, pa entuziazëm të shfrenuar, tejet modest.

Komiteti i Nobelit nderoi një diplomat të shkathtë, që i shërbeu OKB-së, një politikan që i shërbeu vendit të tij si president, një ndërmjetësues që shmangu e shpesh edhe arriti të zgjidhë konflikte të ndërlikuara, një socialdemokrat që u shërbeu njerëzve që nuk kanë zë – në vendin e tij, por edhe në Indonezi, Afrikë të Jugut e Namibi.

Tri suksese të karrierës së tij i veçonte Ahtisaari: pavarësinë e Kosovës dhe të Namibisë dhe ndërprerjen e luftës civile në provincën Açeh në Indonezi. Takimet diskrete me luftëtarët për pavarësi në Namibi thuhet se i zhvilloi në saunën e një misioni evangjelist finlandez. Edhe nëse kjo s’është bash e vërtëtë, mund të imagjinohet, së paku.

Më 1959 Martti Ahtisaari u kualifikua për mësues dhe befas lexoi në gazetë një shpallje. Një shkollë në Pakistan, e cila financohej nga shtetet perëndimore, po kërkonte një drejtor. Ahtisaari nuk ngurroi. Konkurroi, u pranua dhe u bë mësues në Karaçi të Pakistanit, më i madhi qytet i këtij vendi dhe deri më 1959 edhe kryeqytet pakistanez.

Si njeri i botës Ahtisaari fliste anglisht, frëngjisht, gjermanisht, suedisht – dhe finlandisht, natyrisht. “Një finlandez me zemër të mirë” – kështu e quajti Ahtisaarin presidenti i tanishëm i Finlandës Sauli Niinistö: “Ai i besoi njerëzimit, civilizimit dhe të mirës”.

Në një ditë shkurti të vitit 2007, herët në mëngjes, shumë njerëz u mblodhën në kafeterinë atëherë të famshme “Papillon” në Prishtinë jo vetëm për të pirë kafen e parë dhe për të filluar ditën mbarë. Një a dy (apo ndoshta tre) ekranë transmetonin lajmet e televizioneve botërore si CNN, BBC dhe Euronews. Njerëzit e prisnin prezantimin e planit të Ahtisaarit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Në fytyrat e tyre vërehej gëzimi dhe një ndjenjë e këndëshme e padurimit për të ardhmen. Kjo ishte magjia e fillimit. Tashmë dihej e ndihej kudo në Kosovë se plani i Ahtisaarit s’do përmbante asgjë tjetër përveç pavarësisë së Kosovës (përkundër shumë kufizimeve). 105 vjet pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani, 105 vjet pas pushtimit të Kosovës nga ushtria serbe, pas mbi një shekulli të kaluar nga një humnerë politike e represive në tjetrën, në horizontin e Kosovës po shfaqej liria e vitit 1999 e veshur me gëzof pavarësie, e cila u shpall më 17 shkurt 2008.

Më shumë Martti Ahtisaari nuk mund të bënte për Kosovën. Pjesët e tjera, të mirat e të këqijat, marrëzitë dhe mrekullitë, intrigat dhe dështimet, dëshpërimet e sukseset – kryesisht, në mos të gjitha i përkasin klasës politike të Kosovës. Veçanërisht dështimet e dëshpërimet.

Meqë karrierën e tij Martti Ahtisaari e filloi si mësues në Pakistan dhe kështu nisi rrugëtimin e tij të gjatë nëpër parketin e diplomacisë botërore, ndoshta si hap i parë do të ishte mirë që një shkollë në Prishtinë të bart emrin e tij. Nderimet e tjera do të vijnë mbase më vonë, kur gjenerata të tjera të kuptojnë tamam dimensionin e punës së tij. Ka shumë popuj në këtë botë që duan të kenë shtetin e tyre. Të paktë janë ata që e realizojnë ëndërrën. Shqiptarët e Kosovës janë përjashtim. Pozitiv. Edhe këtë duhet pasur parasysh, sot, në ditën e largimit nga kjo botë të Martti Ahtisaarit në moshën 86-vjeçare.

Copyright: Enver Robelli

Latest articles

Related articles