Gruja e Oligarkut mori fondet e bujqësisë IPARD. Skandali që po mbahet i fshehur

Emisioni “Në shënjestër” këtë të mërkurë u trajtua çështja e fondeve IPARD II të menaxhuara nga AZHBR, nisur nga pezullimi i fondeve BE dhe hetimet nga OLAF dhe SPAK për këtë çështjeje.

“Në shënjestër” ka intervistuar persona që kanë aplikuar, ekspertë si dhe ka analizuar të dhënat për kompanitë që kanë përfituar nga këto fonde.

Por çfarë është programi IPARD II prej 94 milionë euro, dhe si AZHBR ua shpërndau, këtë grant, klubit të miqve të pushtetit?

Deri aty, duke i ndërruar edhe drejtimin fondeve, të cilat nga qëllimi për të ndihmuar fermerët e vëgjël dhe të mesëm, shkuan për bujtina dhe restorante, disa prej të cilave nuk u ndërtuan kurrë, te biznesmenët e oborrit të qeverisë.

Vetë programi IPARD, i iniciuar që nga viti 2018, supozohet se është një mbështetje financiare për bujqësinë dhe zhvillimin rural nga fondet e BE-së.

Të paktën ky është qëllimi i shkruar në letra, ku 75 përqind të këtij fondi e asiston Bashkimi Evropian dhe 25 përqind e mbulon qeveria shqiptare.

Pra, nga 94.6 milionë euro, 71 milionë euro vlerësohen se janë kontribut nga Komisioni Evropian dhe 23.6 milionë euro janë donacion nga shteti shqiptar.

Por ndërsa Shqipëria ishte bërë gati këtë vit të përfitonte grandin e tretë të projektit IPARD, Komisioni Evropian, në mënyrë jo edhe aq papritur, vendosi pezullimin e këtij projekti.

Në dyshimet për korrupsion me fondet e dhëna nga BE për bujqit dhe fermerët, dhe afera në shpërndarjen e tyre.

Duke pezulluar kështu, të paktën përkohësisht, grantin e tretë prej 146 milionë euro. Kjo edhe pas një hetimi që ndërmori OLAF, Zyra Evropiane kundër Mashtrimit.

Dyshime që mund të çojnë deri në pezullimin e programit IPARD III, ku ata që rrezikojnë të jenë më të humburit, janë fermerët e vërtetë, ata të cilët të vetmen mundësi që kanë për zhvillimin e tyre, janë këto fonde.

Por le të shikojmë me radhë kush janë disa nga përfituesit e këtij projekti dhe cila është lidhja e tyre me qeverinë aktuale. Elvis Roshi, dikur kryetar i Bashkisë së Kavajës në vitet 2011-2016.

Zyrtari që fshihte 5 emra, i cili u largua nga detyra pas zbulimit nga Prokuroria e Tiranës, të skedës së tij kriminale jashtë Shqipërisë. Kryebashkiaku, që pas të dhënave të mbërritura nga organet e drejtësisë në Zvicër dhe Itali, iu ndërpre mandati për shkak të falsifikimit të formularit të dekriminalizimit dhe fshehjes së një dënimi të dhënë nga drejtësia në Itali, për veprën penale të përdhunimit, të kryer në vitin 1995.

Roshi që më pas u dënua nga Gjykata e Tiranës me 60 orë punë në komunitet, për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit. Por që duket se ky dënim dhe këto precedentë penalë nuk e penguan aspak Agjencinë e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural ti jepte dy grante të majme.

Pavarësisht se personat e dënuar për vepra të rënda penale e kanë të ndaluar të marrin fonde shtetërore apo të partnerëve evropianë. Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, edhe pse Roshi deri këtë kohë nuk njihej për pasionin e tij për bujqësinë, ai nuk e pati aspak të vështirë të përfitojë si fillim një grant të mirë nga AZHBR.

Nga ekstraktet rezulton se në vitin 2019, ai ka themeluar kompaninë ‘Kavaljon’. Dhe po në këtë vit ai ka aplikuar në AZHBR, në programin IPARD, ku fillimisht ka fituar një grant prej 70.189 euro, me qëllim ndërtimin e një sere diellore. Fill pasi fitoi këtë grant ai aplikoi sërish në AZHBR, dhe mori në vitin 2021 edhe një grant prej 180.309 euro.

Këtë herë me qëllim rikonstruksionin e një godine për transformimin në bujtinë, por ndryshe nga sa përfitoi fondet, Roshi dikur ish-benjamini i kryeministrit Rama, duket se nuk i përdori fondet për qëllimet për të cilat i kishte marrë.

Shpejt AZHBR, do t’i kërkonte kthimin e shumës totale prej 250.487 euro, por ish-kryebashkiaku edhe më sot nuk e ka kryer kthimin e tyre. Por Elvis Roshi, nuk është zyrtari i vetëm i lidhur me pushtetin aktual, që përfitoi nga grantet e BE-së për fermerët….

Xheni Gjikuria, administratore e kompanisë, ‘Coast to Coast’ përfitoi rreth 204 mijë euro grant për restaurimin e 5 banesave në fshatin Dhërmi, të cilat do ti shndrronte në bujtina. Gjikuria është bashkëshortja e Florenc Gjikurisë, një biznesmen i njohur, qe e krijoi kompaninë në vitin 2009 bashkë me Jorgji Rucin.

Kompani që ka ndryshuar disa herë aksionerë por që tashmë zotërohet në masën 100 për qind nga Xheni Gjikuria.

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i ka kërkuar kompanisë ‘Coast to Coast’, të kthejë paratë e përfituara, por kompania ka refuzuar.

Ndaj për këtë arsye AZHBR i është drejtuar gjykatës me qëllim marrjen mbrapsht të parave.

Mënyrë kjo mesa duket për të minimizuar përmasat e skandalit. Që tashmë po hetohet nga SPAK, jo vetëm pas raportit final të OLAF që ka në duar Prokuroria e Posaçme, por edhe pas kallëzimit të Nismës ‘Thurje’.

Ku AZHBR, konfirmoi për emisionin “Në Shënjestër” se u ka kërkuar kthimin mbrapsht të parave 17 personave apo subjekteve që kanë përfituar në shkelje, ndërsa në total janë evidentuar me problematika 82 përfitues.

Dyshimet se fondet e IPARD, u grabitën nga njerëz me të shkuar kriminale, është edhe fakti se nga 510 kompani që aplikuan në AZHBR, 126 kompani rezultojnë se i përkasin kësaj kategorie. Njerëz me të shkuar të errët, apo të lidhur me politikën, si edhe biznese të falimentuara dhe skema nepotike familjare përfitimi.

Ndërkohë që 50 prej tyre rezultojnë se janë krijuar pikërisht në vitet 2018-2021. Koha kur fillon dhe merr jetë edhe programi IPARD në Shqipëri.

Latest articles

Related articles