PD, Sefa: 1 zonë elektorale, lista të hapura 100%. KQZ e depolitizuar

Partia Demokratike që drejtohet nga Lulzim Basha do të kërkojë në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore rikonceptimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Sekretari për çështjet zgjedhore në PD, Indrit Sefa në një intervistë për MCN Tv ka dhënë pak detaje mbi këtë çështje pasi thotë se është pjesë e negociatave.

PD propozon të mos ketë më 12 qarqe, por vetëm një, duke e kthyer sistemin në proporcional kombëtar nga rajonal që është aktualisht.

Por sipas Sefës janë të hapur edhe për propozime me dy apo 4 rajone.

Ne kërkojmë që KQZ-ja të jetë më e përgjegjshme dhe të marrë përgjegjësi konkrete për organizimin e procesit zgjedhor. Pra mënyra e organizimit të jetë sa më e depolitizuar, sa më larg influencave të partive politike. Projekti që kemi ne është konkret, shumë cilësor dhe do i shërbejë të gjithë menaxhimit të zgjedhjeve në Republikën e Shqipërisë.

Propozimi tjetër i PD-së për një ndarje në një zonë elektorale, të mos kemi më 12 të tilla. Sistemi është i njëjtë, por nuk kemi më 12 zona, por kemi 1 zonë dhe bëhet proporcional kombëtar. Ne jemi të hapur për propozime, mund të mos jetë vetëm 1, por dy, tre ose katër. Maksimalisht nuk mund të jetë më shumë se 4.

Listat e hapura të jenë 100% të hapura dhe jo me herës dhe me këtë pengesë ligjore. Ne mendojmë që kandidati më i votuar duhet të jetë përfaqësues në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Latest articles

Related articles