DAVID GROSSMAN: Mbi Izraelin, Palestinën dhe ditët e zeza

Në romanin e tij “Çfarë dinte Nina” shkrimtari i madh izraelit David Grossman shkruan për Goli Otokun, ishullin famëkeq në Adriatik, ku diktatori jugosllav J. B. Tito internoi kundërshtarët e tij politikë dhe ata që i etiketoi si kundërshtarë. Ky libër bazohet kryesisht në dëshmitë e Eva Paniq-Nahir, e lindur më 1918 në Ballkan dhe e internuar në Goli Otok. Grossman ka qenë mik i zonjës Paniq-Nahir, e cila historinë e saj ia tregoi fillimisht Danillo Kishit, shkrimtarit të madh hebraik të Jugosllavisë socialiste. Në Goli Otok kanë qenë të interenuar edhe shumë shqiptarë.

Grossman është shkrimtar i rëndësishëm izraelit. Shpesh përmendet si kandidat për çmimin Nobel për letërsi, por juria e Nobelit prej vitesh pëlqen të nderojë shkrimtarë që merren me tema periferike dhe ekzotike ose – skandal! – që mohojnë gjenocidin si puna e Peter Handkes.

M’u kujtua sot romani i David Grossmanit pasi lexova në “Financial Times” të Londrës një kontribut të tij publicistik mbi llahtarinë e fundit në atë që quhet tokë e shenjtë që këto ditë u la me gjak pas sulmit të terroristëve të Hamasit palestinez.

Natyrisht që Hamasi e bart fajin për shkaktimin e tmerrit. Këtë e thekson Grossman, por këtu nuk fillon as nuk mbaron historia. Grossman, i cili e ka humbur të birin në luftën e Izraelit kundër Libanit më 2006, gëzon kredibilitet moral për të prekur tema delikate edhe në këtë orë të errët të Izraelit.

Po shoh, shkruan ai, një ndjenjë të thellë tradhtie. Një tradhti ndaj qytetarëve nga qeveria e tyre – nga qeveria e Benjamin Netanjahut dhe koalicionit të tij qeveritar shkatërrimtar. Shteti, sipas Grossman, i është dorëzuar politikës së çmendur dhe agjendave shpirtngushta, grabitqare e cinike. Ajo çfarë po ndodh tani në Izrael është çmimi konkret që vendi e paguan për shkak se me vite të tëra është joshur nga udhëheqja e korruptuar. Një udhëheqje që e çoi vendin drejt humnerës duke dëmtuar institucionet e drejtëisë, ushtrisë, arsimit. Një udhëheqje që është e gatshme ta vë Izraelin para rrezikun ekzistencial vetëm e vetëm për ta shpëtuar kryeministrin nga burgu.

Ka muaj që qytetarët e Izraelit protestojnë kundër Netanjahut. Ky nuk pranoi t’i dëgjojë kritikët, por vendosi t’i diskreditojë, t’i përshkruajë si tradhtarë, të nxisë urrejtje ndaj tyre dhe të thellojë urrejtjen mes mbështetësve të tij. Megjithatë, duhet theksuar: llahtarinë e fundit nuk e nisi Izraeli, e nisi Hamasi. Edhe në kierarkinë e së keqes ekziston një shkallëzim, nënvizon Grossman. “Pas luftës Izraeli do të jetë më djathtist, më militant dhe më racist”. Grossman vazhdon: “Shpresoj e lutem të ketë palestinezë në Bregun Perëndimor të cilët përkundër urrejtjes ndaj Izraelit – pushtuesit të tyre! – distancohen nga bashkëkombësit e tyre, qoftë me vepra apo me fjalë”.

Ajo çfarë synonte Netanjahu ishte një marrëveshje paqësore me vendet arabe duke e injoruar çështjen palestineze. Ajo konsiderohej e pazgjidhshme (ose e zgjidhshme me dhunë). Në marrëveshjen e synuar me Arabinë Saudite palestinezët nuk gëzonin vëmendjen e duhur. Grossman thotë se kjo marrëveshje nuk duhet të shihet si e shkëputur nga “e shtuna e zezë” mes Gazës dhe Izraelit. Paqja që synonte marrëveshja mes Tel Avivit dhe Riadit do të ishte një “paqe për pasanikë”, një “përpjekje për të lënë anash thelbin e konfliktit. Ditët e fundit kanë treguar se është e pamundur të gjesh një zgjidhje për tragjedinë e Lindjes së Afërt pa ofruar një zgjidhje që zbut vuajtjen e palestinezëve”.

Latest articles

Related articles