Mardhëniet e Shqipërisë me Serbinë, janë kurdoherë të kushtëzuara nga Kosova. Ata të cilët propagandojnë se Shqipëria nuk mund ta kushtëzojë qëndrimin kundrejt Serbisë, me Kosovën, ata e kanë kushtëzuar qëndrimin e tyre me Serbinë.
Serbia ka në themel të politikës së saj dhunën mbi fqinjët. Dhuna mbi tjetrin, mbi muslimanët boshnjakë e shqiptarë dhe mbi katolikët kroatë e hungarezë, është kërkesa kryesore e kishës dhe e akademisë, kërkesë e tentuar të zbatohet përmes politikës dhe ushtrisë.
Gjaku, zija dhe varri, kanë shoqëruar Ballkanin, prej mitit dhe utopisë kriminale të klikave të Beogradit, për të ringjallur Perandorinë e Dushanit të Madh.
Republika e Shqipërisë është e interesuar për çarmatosjen e Serbisë nga marrëzia, dhe për transformimin e saj në një shoqëri civile e pro-europiane, duke braktisur jeten si shoqëri primitive, shoqëri dekadente e ku himnizohet dhuna kundër “tjetrit”. Ky transformim, përveçse është hap drejt civilizimit të qenies njerëzore, do të ishte hap i madh drejt paqes e sigurisë së rajonit të Ballkanit.
Fakti që organizohen sulme paramilitare dhe presidenti i Serbisë i merr nën mbrojtje dhe shpall ditë zie kombëtare për ta, tregon se Serbia nuk ka ndërmend të heqë dorë nga të qenit gjenerator i dhunës.
Pretendimi se Aleksandër Vuçiq është pro-perendimor por i duhet të mbajë qëndrime të tilla për të menaxhuar nacionalizmin serb, ndaj duhet mirëkuptuar, është justifikim kryekëput naiv.
Serbia ka luajtur gjithmonë një lojë të tillë, duke shantazhuar Europën me nacionalizmin e dhunshëm, me qëllim për t’i marrë koncesione. Por si nacionalizmi i dhunshëm, si koncesionarët, janë prej të njejtës klikë. Kjo është loja serbe në mardhënien e saj strategjike e paranojake me botën.
Republika e Shqipërisë, duke mos qenë shtet shovenist dhe shkaktar i dhunës, ka si interes thelbësor paqtimin dhe ecjen përpara në mënyrë paqësore të popujve të Ballkanit. Mirëpo paqja nuk mund të garantohet pa aksion të fuqishëm të shteteve të mëdha me kapacitet civilizues, kundër një shteti i cili aparatin e tij administrativ fuqinë e tij ekonomike e përdor kundër paqes dhe në favor të konfliktit.
Prandaj parlamenti ynë, shteti dhe populli ynë, kërkon prej Këshillit të Sigurimit të OKB dhe të gjitha instancave të tjera të sugurisë ndërkombëtare, të ndërmarrin masa kundër shkaktarëve të dhunës në rajonin e Ballkanit.
Kështu do të duhej të fliste një kryeministër i cili përfaqëson interesat e shqiptarëve por edhe interesat e paqes rajonale.