Rezoluta 1244 e KS të OKB si “ndërmjetësuesi avullues” për statusin e Kosovës

Gentian Doçi
Më 12 qershor të këtij viti u bënë 24 vite nga arritja e Marrëvëshjes së Kumanovës për tërheqjen e trupave dhe të gjithë institucioneve serbe nga territori i Kosovës. Me arritjen e kësaj marrëveshjeje, hyri në fuqi edhe Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB. Rezoluta 1244 e KS-t është ndër rezolutat më të njohura dhe mbase nga më të përmendurat për rajonin tonë dhe shqiptarët në përgjithësi, sepse është rezoluta që pasoi “Marrëvëshjen e Kumanovës” për tërheqjen e trupave dhe institucioneve (në të atë kohë) jugosllave nga territori i Kosovës. Qëkur u votua si rezolutë, ekzistojnë shumë hipoteza mbi atë cfarë përfaqëson kjo rezolutë. Sipas propagandës së tij, Milosheviçi e konsideroi këtë rezolutë si “fitore” ndaj NATO-s dhe ruajtjen e Kosovës brenda territorit të Serbisë dhe se me këtë rezolutë, statusi i Kosovës tashmë është i vendosur. Kjo lëvizje politike e tij për të mashtruar popullin e vet është akoma një version i famshëm në opinionin publik të Serbisë dhe rezoluta 1244 tashmë është bërë “mburoja” kryesore e integritetit territorial të Sërbisë. Po cfarë përfaqëson rezoluta 1244? Cilat janë keqkuptimet në lidhje me Këshillin e Sigurimit dhe Kombet e Bashkuara?
Së pari, versioni se karrigja në Kombet e Bashkuara është një “konfirmim” se një entitet socio-politik është shtet e nëse nuk është pjesë e Kombeve të Bashkuara nuk është shtet është i gabuar. Zvicra është bërë pjesë e OKB-së në vitin 2002 dhe kjo nuk do të thotë se nuk ka qenë shtet para këtij viti. Vetë shtetet janë ato që e kanë krijuar këtë institucion të quajtur “Kombet e Bashkuara” e jo e kundërta. Shtetet nuk janë mbledhur asnjeherë në OKB e të propozojnë iniciativën për krijimin e një shteti të ri. Këshillimi i sigurimit nuk është një organ legjislativ dhe nuk merret me përcaktimin përfundimtar të statusit të shteteve. Direktiva më e rëndësishme e Këshillit të Sigurimit nuk është sovraniteti, ligji ndërkombëtar, integriteti territorial etj por është ajo që e thotë dhe vetë emërtimi, pra merret me sigurinë, me sigurinë e njerëzve, sigurinë e shteteve. Rezoluta 1244 e OKB-së nuk duhet parë si kushtetutë, por si metodë të vendosjes së paqes me imponim. Në një nga pikat e preambulës së kësaj rezolute thuhet se: “Duke riafirmuar përkushtimin e të gjitha shteteve anëtare ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të RepublikësFederale të Jugosllavisë dhe shteteve të tjera të rajonit, siç përcaktohet në Aktin Final të Helsinkit dhe aneksin 2).” Në këtë fjali të preambulës së Rezolutës 1244 dhe në të gjithë rezolutën nuk vendoset statusin final, por statusi i përkohshëm i Kosovës (që mund të dallohet dhe në pikat më poshtë). Rezoluta 1244 merret me statusin e përkohshëm të Kosovës dhe çfarë do të ndodhte me Kosovën pas tërheqjes së ushtrisë, policisë dhe trupave paramilitarë serbë nga territori i Kosovës.
Një nga parimet e përgjithshme të ministrave të jashtëm të G8-tës në këtë rezolutë thotë:” Vendosja e një administrate të përkohshme për Kosovën që do të vendoset nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së që të sigurojë kushtet për një jetë normale dhe në paqe për të gjithë banorët në Kosovë.”
Në Aneksin 2, fjala “e përkohshme” përsëritet:” Një proces politik drejt vendosjes së një strukture të një marrëveshje të përkohshme politike për një vetëqeverisje substanciale për Kosovën, duke patur parasysh akordet e Rambujesë”. Pjesa më e rëndësishme që konfirmon se kjo Rezolutë nuk e vendos Kosovën si pjesë të “pandashme” të Serbisë është pika 11, përkatesisht pika e dhe f. Pika e thotë: “Lehtësimi i një procesi politik të dizajnuar për të përcaktuar statusin e ardhshëm të Kosovës, duke marrë parasysh akordet e Rambujesë (S/1999/648).” Në kapitullin e tetë të Marrëveshjes së Rambujesë, në pikën 3 thuhet se tre vite pasi të hyjë në fuqi kjo marrëeshje, duhet të ndodhë një takim ndërkombëtar që të vendosë një mekanizëm për të vendosur statusin final të Kosovës, duke u bazuar në vullnetin e popullit.” Në këtë pikë nuk përmendet ruajtja e integritetit territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë. Në këtë rezolutë përmendet edhe Marrëveshjen e Rambujesë, të cilën Milosheviçi nuk pranoi ta nënshkruajë, ndër të tjerash, për shkak të pikës 3 të kapitullit 8, në fakt ishte dhe arsyeja se erdhi deri te bombardimi i Republikës Federale të Jugosllavisë. Sic mund ta shohim, në fund ai e pranoi edhe një pjesë të mirë të Marrëveshjes se Rambujesë, por pas bombardimeve. Pika f thotë që në fazën përfundimtare, mbikëqyrja e transferimit të autoritetit nga institucionet e përkohshme të Kosovës tek institucionet e themeluara sipas një marrëveshjeje politike.
Bazuar në këto pika që tregojnë dhe konfirmojnë se Rezoluta 1244 merret vetëm me pjesën tranzitore të Kosovës. Kjo rezolutë jep direktivat se si do zhvillohet ky tranzicion pasi trupat e NATO-s të hyjnë në Kosovë, të shënohet fundi i dhunës dhe terrorit në Kosovë, kthimi i refugjatëve në shtëpitë e tyre dhe vendosjen e institucioneve provizore për arritjen e konsolidimit të jetës dhe institucioneve të Kosovës. Me këtë kuptojmë se kjo rezolutë nuk është “kushteturë botërore”. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, Serbia iu drejtua Gjykatës Ndërkombëtarë të Drejtësisë nëse shpallja e pavarësisë është në harmoni me rezolutën 1244 dhe masat e adoptuara aty. Se kjo rezolutë ka karakter provizor për sa i përket statusit final, tregon edhe përgjigja e gjykatës, që thotë se rezoluta 1244(1999) qartësisht vendos një regjim të përkohshëm; nuk mund të merret sikur vendos një strukturë të përhershme institucionale në territorin e Kosovës. Kjo rezoluta e mandatoi UNMIK-un që më vonë të facilitojë zgjidhjen e negociuar dhe të dëshiruar për Kosovën. Në pyetjen tjetër nëse kjo deklaratë është në shkelje të rezolutës 1244 dhe masat e ndërmarra aty, Gjykata e ripërsërit karakterin e përkohshëm të kësaj rezolute, ku thotë se rezoluta 1244 është e dizejnuar në mënyrë esenciale që të krijojë një regjim të përkohshëm, me synimin për kanalizimin e procesit politik afatgjatë për të vendosur statusin e tij përfundimtar. Rezoluta nuk përmban asnjë dispozitë që përcakton statusin final të Kosovës ose kushtet për të arritur atë. Sipas kushteve të rezolutës 1244 (1999) Këshilli i Sigurimit nuk i rezervoi vetes përcaktimin përfundimtar të situatës në Kosovë dhe heshti për kushtet se si do arrihet statusin përfundimtar të Kosovës. Prandaj, Rezoluta 1244 (1999) nuk e përjashton nxjerrjen e deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008, sepse të dy instrumentet funksionojnë në një nivel të ndryshëm: ndryshe nga rezoluta 1244 (1999), shpallja e pavarësisë është një përpjekje për të përcaktuar përfundimisht statusin e ardhshëm i Kosovës, pa paragjykuar rezultatin e procesit të negociatave. Së fundmi, mund të shohim se kjo rezolutë shërbeu si “ndërmjetësuesi avullues” (vanishing mediator) për arritjen e pavarësisë së Kosovës. “Ndërmjetësuesi avullues” është një term i shpikur nga Fredrik Xhejmson për të përshkruar një faktor të një tranzicioni historik që krijon kushtet për ndryshim dhe pastaj “avullon” sapo atij ndryshimi i vendosen themelet. Rezoluta 1244 vazhdon të jetë në fuqi për shkak se mbron sigurinë e territorit të Kosovës, por për sa i përket statusit të saj, kjo rezolutë ka “avulluar”.

Latest articles

Related articles