Inteligjenca belge ka aktivizuar monitorimin e qendrës kryesore logjistike europiane të gjigantit kinez të tregtisë elektronike Alibaba, bazuar në dyshimet për spiunazh.
Shërbimet e sigurisë zbuluan për Financial Times se kishin nisur një kontroll për të zbuluar “ndërhyrje të mundshme ose aktivitete spiunazhi” nga subjektet kineze, përfshirë Alibaba.
Alibaba e ka kthyer aeroportin e ngarkesave të Lieges qendrën kryesore të logjistikës në Europë.
Shërbimet belge të sigurisë kanë sqaruar se vëmendja ndaj Alibaba vjen edhe për shkak të rregullores së Pekinit e cila detyron kompanitë kineze që të ndajnë të dhënat e tyre me autoritetet dhe shërbimet e inteligjencës.
Të dhëna që mund të përdoren gjithashtu për qëllime jokomerciale.
Ministri belg i Drejtësisë Vincent Van Quickenborne tha për FT se marrëveshjet me Alibaba datojnë në një periudhë tjetër dhe sot “koha e improvizimit ka mbaruar”.
Qendra e Lieges është e vetmja qendër logjistike europiane e operuar nga Alibaba përmes filialit të saj Cainiao, ku lëvizin mallrat e shitura në Europë përmes faqes së blerjeve në internet AliExpress.
Ajo mbështetet në përdorimin e një hangari prej 30 mijë metrash katrorë. Cainiao ka mohuar çdo përfshirje në aktivitete spiunazhi.
Siguria e të dhënave dhe mbrojtja e privatësisë janë paradigma për biznesin tonë. Ne operojmë në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret.