Prindërit e martuan me detyrim, 22-vjeçarja dhe fëmija mbahen peng nga shqiptari

Një rast i rëndë i dhunës në familje ka ndodhur në volos të Greqisë, ku një shqiptar ka mbajtur peng bashkëshorten e tij 22-vjeçare dhe fëmijën e tyre për rreth 2 vite, ndërsa abuzonte çdo ditë me të. 

Ngjarja është zbuluar mbrëmjen e së enjtes, kur fqinjët kanë dëgjuar britmat nga brenda shtëpisë, ku 28-vjeçari mbante 22-vjeçaren dhe fëmijën e tyre ‘të burgosur’ në shtëpi. 

Kur kanë trokitur me këmbëngulje në derë, 28-vjeçari pasi e ka hapur ka tentuar të arratiset, ndërsa fqinjët e kanë imobilizuar. Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur arrestimin e tij.

Atë natë 28-vjeçari ka tentuar ta mbysë 22-vjeçaren pasi u konstatua se gruaja kishte shenja në qafë.  Në deklaratën e saj të mëvonshme në polici, 22-vjeçarja tha se i shoqi e rrihte çdo ditë. 

Çifti u martua në Shqipëri kur vajza ishte vetëm 18 vjeç, në një martesë të “detyruar” nga familja e saj dhe rreth 1.5 vjet më vonë ata patën një fëmijë së bashku.

Në vitin 2021, 28-vjeçari erdhi në Greqi me 22-vjeçaren dhe fëmijën e tyre në një zonë pak jashtë Volosit, ku punon si ndërtues, shkruan Protothema.gr 

Siç rezultoi nga hetimet, gjatë “ndalimit” burri nuk e kishte lejuar as fëmijën të shkonte te mjeku dhe as gruaja e tij të mësonte greqisht. Në pesë muajt e fundit, në fakt, gruaja nuk kishte parë as dritën e diellit, pasi e kishte të ndaluar të dilte edhe në oborrin e shtëpisë.

28-vjeçari e ka kërcënuar vajzën se do të shkonte vetë në Shqipëri për të vrarë prindërit e saj, nëse ajo tregonte se çfarë po kalonte apo tentonte të largohej. I riu do të përballet me ndjekje penale për pengmarrje dhe plagosje.

Latest articles

Related articles